Rama: Mbyllja e basteve i ka kthyer deputetët në shënjestër

Rama: Mbyllja e basteve i ka kthyer deputetët në shënjestër

Kryeministri Edi Rama shprehu sot në Kuvend keqardhjen për sulmin vulgar të mesazheve të orkestruara nga burgu 313 për deputetët e Komisionit të Financave dhe Ekonomisë.

Në fjalën e tij në Kuvend, kryeministri Rama theksoi se “jam shumë i keqardhur që një pjesë e deputetëve dhe posaçërisht deputetë e Komisionit të Financave dhe Ekonomisë janë kthyer në shënjestrën e një sulmi vulgar mesazhesh të orkestruara nga burgu 313”.

“Është fatkeqësi por është e vërtetë ata që sot mungojnë këtu janë në krahun e atyre që po luftojnë online dhe po agresojnë një pjesë të deputetëve të kësaj shumice me mesazhe”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “personalisht lideri legjendar i Partisë Demokratike ka marrë anën e basteve duke e vënë tabelën e tij të fletërrufeve dixhitale në dispozicion të shpifësve, në dispozicion të gjithë kësaj fushate shpifjesh që organizohet nga krimi i organizuar që financon një pjesë të madhe të kësaj veprimtarie”.

Por nga ana tjetër, vijoi Kreu i Ekzekutivit, jam shumë i sigurt se ky grup parlamentar do t’u japë në radhë të parë prindërve të këtij vendi, nënave, grave dhe vajzave dhe patjetër edhe atyre që janë aktualisht të sëmurë nga marrëdhënia me fatin një dhuratë të shumëpritur të parëve dhe terapeutikisht të domosdoshme të dytëve me rastin e Vitit të Ri, mbylljen e kazinove elektronike e basteve sportive që nga ndeshjet e futbollit deri tek garat e çdo lloj katërkëmbëshi të faunës botërore dhe basteve online./ata