Kuvendi i hap rrugë krijimit të ushtrisë

Kuvendi i hap rrugë krijimit të ushtrisë

(E Plotësuar)- Ligjvënësit e Kosovës, pozitë e opozitë janë bërë bashkë për votimin e tri projektligjeve që i hapin rrugë krijimit të Ushtrisë së Kosovës.

Është hera e parë që mazhuranca dhe opozita janë bërë bashkë në miratimin e tri projektligjeve për ushtrinë.

Kuvendi i Kosovës pas shqyrtimit e debatit për projektligjet e propozuara nga Qeveria e Kosovës, ka votuar pro Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe Projektligjin për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Teksa është votuar projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes kanë votuar pro 101 deputetë. Përkrahje i kanë dhënë të gjitha partitë shqiptare, ndërsa deputetët e Listës Serbe e kanë kundërshtuar këtë projektligj dhe e kanë bojkotuar seancën.

Menjëherë pas aprovimit të këtij Projektligji, ligjvënësit i kanë dhënë bekimin edhe Projektligjit të propozuara nga Qeveria e Kosovës, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Me  98 deputetë sa ishin në sallë, që të gjithë kanë votuar pro këtij projektligji.

Edhe  Projektligji për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) është miratuar me 96 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Përkrahje i kanë dhënë të gjitha partitë shqiptare, ndërsa deputetët e Listës Serbe e kanë kundërshtuar këtë projektligj dhe e kanë bojkotuar seancën.

Kuvendi i Kosovës pritet që të tri projektligjet që kanë të bëjnë me ushtrinë e Kosovës të shqyrtohen në lexim të dytë me 20 Nëntor dhe në këtë mënyrë i hapet rruga krijimit të ushtrisë së Kosovës.

Parlamenti po i vazhdon punimet me shqyrtimin e pikave të parapara të rendit të ditës./Rtklive/

 


MË SHUME NGA Aktuale