Marihuana me efekte pozitive te të sëmurët me Alzheimer

Marihuana me efekte pozitive te të sëmurët me Alzheimer

Kanabisi, një drogë me nam të keq, gjithmonë e më shumë po gjen përdorim në mjekësi si mjet kundër dhimbjes, e shpresat janë edhe për një efekt pozitiv të tij tek personat që vuajnë nga çrregullimet mendore.

Në kohën kur Kanadaja u bë vendi i dytë i botës që e legalizoi përdorimin rekreativ të lëndës narkotike, ekspertët e Universitetit të Bonit tregojnë se eksperimentet e bëra tek minjtë, dëshmuan një ndikim të qartë të marihuanës në ngadalësimin e procesit të plakjes së trurit.

Studiuesit e Institutit për Psikiatrinë Molekulare vunë re përmirësim të funksioneve të trurit tek minjtë e vjetër pas dhënies së një dozë të vogël të lëndës përbërëse të kanabisit THC, thuhet në revistën “Nature Medicine”.

Drejtori i Institutit, Andreas Zimmer nuk e fsheh optimizmin se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe tek njerëzit. Për këtë do të nisë shumë shpejt një studim klinik me persona të moshuar në Bonn.

Studiuesit duan të dinë, nëse THC ka ndikim në funksionet e trurit të njerëzve me demencë në stadin e parë apo në fillimet e Alzheimerit.

Edhe në Izrael studiuesit janë marrë me kërkime të shumta mbi efektin e kanabisit dhe kanë dalë në përfundime pozitive.