Violinisti i njohur shqiptar, koncert në Tiranë

Violinisti i njohur shqiptar, koncert në Tiranë

Violinisti i njohur shqiptar, Jonian Ilias Kadesha, do të performojë sot në mbrëmje në Tiranë, për publikun kryeqytetas.

Në sallën koncertale të Katedrales Orthodokse, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të hapë sezonin e ri artistik, me pjesëmarrjen speciale të violinistit me origjinë shqiptare, i cili shoqërohet edhe nga dy miqtë e tij artistë, dirigjenti Jonathan Bloxham dhe violinçelistja Vashti Hunter.

Para koncertit, violinisti Kadesha u prit në takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. “Dua të të jap një dhuratë të vogël si çun Tirone që je, edhe pse ke lindur jashtë, po genin dhe gjakun e ke tirons: Kjo është Kulla e Sahatit të Tiranës. Pavarësisht vendit ku do të jesh duke performuar, ky sahati ynë i vogël tregon gjithmonë orën e Tiranës. Prandaj, sa herë që të kthehesh te tavolina ose bufeja ku do e vendosësh, do kujtohesh sa është ora në Tiranë dhe se sa i mirëpritur je këtu. E jap këtë Kullë në emër të qytetit, si shenjë mirënjohje, admirimi e respekti për ty”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku vlerësoi se Jonian Kadesha përfaqëson ata djem dhe vajza që ia kanë dalë mbanë falë talentit dhe punës së tyre, ndërsa i ftoi të gjithë qytetarët që t’i bashkohen koncertit sot në orën 19.00.

Top Channel