Rama:Transformimi i FSK-së në ushtri mund të zgjasë deri në 10 vjet

Rama:Transformimi i FSK-së në ushtri mund të zgjasë deri në 10 vjet

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka thënë se miratimi i projektligjeve për transformimin e FSK-së në ushtri është një e arritur e madhe për shtetin e Kosovës.

Në një intervistë për Radio Kosovën ai theksoi se kompetencat e FSK-së do të jenë të njëjta me ato të ushtrive moderne të shteteve demokratike. Sipas tij, me kapacitetet aktuale FSK është e gatshme të marrë pjesë në misione paqeruajtëse.

RADIO KOSOVA: Gjeneral, si u prit nga ju  votimi i tri projektligjeve për FSK-në nga Parlamenti i Kosovës?

Rama: Është bërë hapi i parë. Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Ligji për FSK-në dhe Ligji për Shërbim në FSK, janë tri ligje që janë sponsorizuar nga MFSK. Ne e kemi pritur shumë mirë këtë votim. Dua t’i falënderoj të gjitha partitë politike për përkrahjen që u kanë dhënë këtyre ligjeve. Kjo dëshmon se FSK është forcë unike dhe e besueshme, sepse në gjashtë vitet e fundit jemi institucioni më i besueshëm në vend. Kjo është një dëshmi që FSK është një forcë unifikuese.

RADIO KOSOVA: Sa kohë i nevojitet FSK-së që të ristrukturohet për mandatin e ri?

Rama:Ne në fakt e kemi ndërtuar një plan gjithëpërfshirës me partnerët tanë strategjikë. E kemi filluar këtë proces në vitin 2014 pas Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë të Republikës së Kosovës. Mbi bazën e atij rishikimi, ne kemi marrë detyra shtesë dhe kemi filluar që në atë fazë të analizojmë dhe t’i krijojmë skenarët, dhe në bazë të atyre analizave e kemi ndërtuar një plan afatgjatë edhe me ekspertët që i kemi pasur nga partnerët tanë strategjikë. Bazuar në prioritetet tona, në momentin kur aprovohen ligjet, do të fillojmë me implementimin e atij plani. Dua të ritheksoj se edhe këto plane janë fleksibile dhe varësisht nga situata, ne do të veprojmë. Por aktualisht, kemi një plan gjithëpërfshirës afatgjatë që do të marrë kohë 10 vjet. Arsyeja pse po them 10 vjet është që ne duhet të fillojmë nga ristrukturimi brendapërbrenda. Riorganizimi i Ministrisë së Mbrojtjes në të ardhmen, është ndërtimi i Shtabit të Përgjithshëm dhe njësive bazuar në prioritete. Prioriteti në njësi është te Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, ne duhet t’i ndërtojmë kapacitetet trajnuese, t’i trajnojmë pjesëtarët tanë që të jenë të gatshëm për misionin e ardhshëm. Bazuar në këto plane, ne do të shkojmë hap pas hapi. Edhe kur kemi filluar përgatitjen e këtij plani, kemi qenë të kujdesshëm edhe për buxhet. Bazuar në këto plane, ne kemi marrë deklaratë nga Qeveria e Kosovës se çdo  vit do t’i kemi nga 5 milionë euro.

RADIO KOSOVA: A e përfshin edhe shërbimin ushtarak të të rinjve të Kosovës plani gjithëpërfshirës?

Rama: Forca edhe në të ardhmen do të jetë forcë vullnetare, profesionale; nuk do të jetë e obligushme. Ky është edhe një standard i NATO-s, sepse qëllimi dhe synimi ynë është që të jemi pjesë e asaj familjeje të madhe, në këtë rast, NATO-s. Mirëpo,ka shumë ide dhe ka shumë shtete që i njoftojnë qytetarët e vet edhe me ushtri edhe me përdorim të armëve. Ne jemi duke punuar që ta marrim një model se si do t’i inkuadrojmë gjeneratat e reja që të paktën t’i kenë njohuritë bazike. Qëllimi është se duke e marrë parasysh pozitën tonë gjeografike, numrin e banorëve, por edhe mundësitë dhe kapacitetet që i kemi ne si shtet, forca e ardhshme të jetë profesionale dhe fleksibile në kuptimin e pajisjeve, qofshin ato të automjeteve por edhe armatimeve, për ta kryer misionin në të ardhmen. Por është më rëndësi se ne do t’i mbajmë edhe këto kapacitete që aktualisht i kemi, sepse kemi nevojë jo si FSK, por edhe si Kosovë. Për shembull, kemi edhe 110 fusha të minuara në Republikën e Kosovës, për pastrimin e të cilave na duhen edhe 8 deri në 10 vjet bazuar në informacionet dhe analizat që i kemi bërë deri më tani. Është një aset - njësi që është e nevojshme dhe e domosdoshme.

RADIO KOSOVA: Në cilën fazë është paraparë armatosja e FSK-së dhe pjesëmarrja e saj në misionet paqeruajtëse?

Rama: E para, FSK-ja është e armatosur lehtë, e dyta, tash armatosja e Forcës do të varet prej zhvillimit dhe implementimit të planit. Është pak herët të flasim për armatosje dhe pajisje,  por misioni e kushtëzon edhe pajisjen. Bazuar në planin tonë, ne do të jemi transparentë me të gjithë, edhe me ju si media, kemi qenë dhe mbesim transparentë edhe me faktorin ndërkombëtar dhe me partnerët tanë. Do të japim llogari për punën që e bëjmë. Për misionet paqeruajtëse jemi në rrugë të mirë, që prej një shteti partner dhe mik të paktën të kemi një njësi me kapacitetet aktuale që kemi që të fillojmë një mision paqeruajtës. Por ne i kemi të planifikuar dhe normalisht që ne në momentin kur t’i ngrisim kapacitetet, kemi ofertuar dhe kemi kërkuar prej vendeve partnere strategjike që kemi, që me këto kapacitete jemi të gatshëm të kryejmë detyra paqeruajtëse. Ky është synimi dhe qëllimi ynë. Dhe e dyta varësisht prej zhvillimeve të brendshme dhe ngritjeve të njësive ne do të kemi mundësi të kemi misione paqeruajtëse me partnerët tanë strategjikë.

RADIO KOSOVA : Disa pjesëtarë të komunitetit serb i kanë braktisur radhët e FSK-së.  Si do të  plotësohen ato vende?

Rama: Është e vërtetë që pjesëtarët serbë që kanë shërbyer dhe ende shërbejnë në FSK kanë pasur presione të ndryshme nga jashtë dhe neve na vije keq për atë se çka ka ndodhur. Ajo çka është pritur nga ne dhe çka kemi pasur mundësi u kemi dalë në ndihme dhe i kemi njoftuar të gjithë akterët e sigurisë, qofshin vendorë apo ndërkombëtarë. Edhe NATO-n e kemi njoftuar që bëjnë presion në një shtet tjetër, nuk është as etike e as njerëzore që të mos i japësh mundësi dikujt për mirëqenien e tij sociale dhe dëshirën për t’i shërbyer vendit. Kemi qenë dhe jemi në kontakt të përhershëm me ta, por ne keni ligjet dhe rregulloret që duhet të marrim vendime. I kemi 71 pjesëtarë që deri më tash kanë dhënë dorëheqje nga FSK me vetë dëshirë. Kanë sjellë letrat për demobilizim nga ana e tyre dhe ne i kemi respektuar ligjet dhe rregulloret në fuqi. Një pjesë e madhe janë liruar. Absolutisht nuk shoh ndonjë problem, kemi mjaft aplikantë dhe njerëz të interesuar që të shërbejnë në FSK. Dyert tona janë të hapura për të gjithë, dhe bazuar në Kushtetutë dhe ligje ne jemi forcë multietnike, gjithëpërfshirëse dhe do të jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim. Neve na vije keq për ata që kanë rënë pre e presioneve nga jashtë. Nuk kanë qenë në presion vetëm pjesëtarët tanë por edhe familjarët e tyre. Ne e kuptojmë pozitën e tyre. Por edhe njëherë po e përsëris, nuk e kemi problem t’i zëvendësojmë ata.

RADIO KOSOVA: Është evidente se FSK i ka dërguar kadetët e saj nëpër akademi të ndryshme për shkollim dhe trajnim. A jeni të gatshëm që për shembull nesër të merrni detyra të reja ose të filloni mandatin e ri?

Rama: Për mua personalisht dhe për të gjithë Forcën, qëllim parësor ka qenë zhvillimi profesional i Forcës. Unë dua t’i falënderoj të gjitha shtetet partnere për mundësinë dhe përkrahjen që kemi pasur nga ana e tyre për ngritjen profesionale të Forcës, qoftë të oficerëve qoftë të nënoficerëve. Aktualisht kemi në gjashtë shtete prestigjioze kadet në shkollim, në përfundim apo edhe fillim të akademisë ushtarake. Ata nuk mësojnë për situata emergjente por mësojnë për doktrinën dhe konceptet ushtarake,duke përfshirë edhe Vest Point që për herë të parë kemi dy kadet e që pritet vitin e ardhshëm ta përfundojnë akademinë. E them me përgjegjësi të plotë, se kurdo dhe shpresoj që sa më shpejtë të përfundojë procedura ligjore.

RADIO KOSOVA: Zyrtarë të KFOR-it gjithmonë kanë thënë se ndryshimet në mandatin e FSK-së duhet të bëhen me ndryshimet kushtetuese. A shihni ndonjë problem sa i përket bashkëpunimit në relacionin KFOR-FSK?

Rama: Absolutisht nuk shoh problem, se edhe këto tri ligje që tashmë janë në Parlament janë hartuar në bazë të Kushtetutës së Kosovës. Kemi qenë shumë të kujdesshëm në atë çështje, sepse nuk kemi dashur të krijojmë hapësirë që nesër dikush të ankohet dhe të thonë që janë kundër kushtetuese. Bashkëpunimi ynë ka qenë dhe do të jetë i sinqertë, ne kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm me KFOR-in në të gjitha fushat. Jemi në proces që në disa fusha ta zgjerojmë planifikimin. E kam thënë disa herë që, pa ushtri nuk ka siguri, dhe pa siguri nuk ka ekonomi. Ne nuk po bëjmë më shumë sesa na takon si një shtet sovran.

RADIO KOSOVA: A jeni të gatshëm që të merrni detyrën për ruajtjen e kufijve të vendit me kapacitetet aktuale të cilat i disponon FSK-ja?

Rama: Tash ne duhet të jemi të gatshëm gjithmonë, nuk diskutohet, ne presim procedurën ligjore dhe do ta zbatojmë. Ne momentin kur të krijohen kushtet ne do të marrim detyrën.  Kemi shumë punë për të bërë. Aty është qëllimi dhe ne do t’i ngrisim ato kapacitete. Do të jemi në koordinim me të gjithë faktorët e jashtëm dhe nga jashtë.

RADIO KOSOVA: Cili do të jetë emri i Forcës?

Rama: Duhet ta sqaroj se që të ndryshohet emri  duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese. Ne e dimë se pse nuk kemi mundur. Qëllimi ynë ka qenë që të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe do të ishte në të mirën e të gjithëve. Fatkeqësisht nuk kemi arritur që një parti e caktuar të bindet që të votojë, por, opsioni është i hapur. Është çështje politike, por besoj që me kalimin e kohës do të binden edhe ata. Është mirë që mos m’u lidh shumë me emrin,  ka shume vende që e kanë këtë emër që e kemi ne. Për mua dhe për institucionin që përfaqësoj është mandati dhe misioni. Emri është çështje politike, kur të krijohen kushtet mund të ndryshojë. FSK-ja dhe pozita ku unë jam sot nuk mund të thirret si shef i mbrojtjes por prapë do të jetë si komandant i FSK-së. Këto janë dy çështje që nuk mund të ndryshohen me ligjet aktuale. Emri është me rëndësi, por në këto momente dhe rrethana ku jemi, donë kohë.

Autor: Mejreme Tahirukaj