Pllava e Dragashit bëhet me rrjet të ri elektrik

Pllava e Dragashit bëhet me rrjet të ri elektrik

Kompania Kosovare për Furnizim dhe Distribuim të Energjisë Elektrike, KEDS, ka vendosur rrjet të ri elektrik në fshatin Pllavë të Dragashit.

Një pjesë e këtij rrjeti është vendosur nën tokë. KEDS, në këtë lokacion ka instaluar gjithsej 82 shtylla të betonit, prej të cilave 21 janë për tension të mesëm dhe 61 për tension të ulët. Poashtu, është vendosur një transformator me fuqi 160 kVA si dhe rreth 3.5 kilometra kabëll. Afër 1 kilometër e kabllës për tension të mesëm është vendosur nën tokë.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se nga investimi i radhës i kompanisë kanë përfituar rreth 70 shtëpi të kësaj zone.

“Ky projekt është i rëndësishëm sepse kemi zëvendësuar numër të madh të shtyllave elektrike. Kjo e shton sigurinë për banorët e asaj ane meqë shtyllat e kaluara kanë qenë të vjetra e të dëmtuara, si dhe në të njëjtën kohë kemi shtuar cilësinë e furnzimit me energji elektrike”, ka thënë ai.

“Po ashtu, një pjesë e rrjetit të ri është futur nën tokë, që e shton tutje cilësinë e furnizimit me energji”, ka shtuar Buzhala.

Plani Zhvillimor i Rrjetit të Shpërndarjes është një master plan i KEDS-it që parasheh investimin e 300 milionë eurove në rrjetin shpërndarës elektrik të Kosovës deri në vitin 2025.

Përmes këtij master plani, KEDS mëton të rinovojë rrjetin elektrik dhe ta bëjë atë të ngjashëm me rrjetet elektrike të shteteve të zhvilluara evropiane.