Berisha: Ushtria e Kosovës interes i të gjithëve

Berisha: Ushtria e Kosovës interes i të gjithëve

Tri projektligjet bazike, të miratuara ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, e rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin e ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ministri Rrustem Berisha tha për Radio Kosovën se këto projektligje parashohin që FSK të zhvillohet në një forcë me kompetenca, organizim dhe funksion të ri si dhe kalimi i Ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes.

Sipas tij, Ushtria e Kosovës është në interes të të gjithë qytetarëve të vendit, dhe se MFSK/FSK po punon fort që transformimi të bëhet në përkrahje dhe konsensus të plotë brenda vendit si dhe të përkrahet nga partnerët strategjikë ndërkombëtarë.

RADIO KOSOVA: Z. ministër, si parashihet riorganizimi i ri i Ministrisë së Mbrojtjes me këto tri ligje që ditë më parë u miratuan në parim nga Kuvendi i Kosovës?

Berisha: Me këto tri projektligje realisht parashihet një organizim dhe funksionim i ri. Ministria e FSK riorganizohet dhe parashihet kalimi në Ministri të Mbrojtjes. Kjo është e përcaktuar me Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes. Ndërsa me Ligjin për FSK-në janë përcaktuar detyrat dhe kompetencat, ku kemi të bëjmë më një riorganizim dhe një strukturë të re që do ta këtë FSK-ja.

RADIO KOSOVA: Ministër, cilat janë katër komandat që do t’i këtë Forca e Sigurisë kur të marrë mandat të ri dhe mision të ri?

Berisha: Komandat janë: Komanda e Forcave Tokësore, Komanda e Trajnimit dhe Doktrinës, Komanda e Logjistikës dhe Garda Kombëtare. Komplet faza e transformimit është paraparë të bëhet në tri faza. Faza e parë është A plus tre brenda afatit trevjeçar, e dyta është A plus 7 që përfshin periudhën tre deri në gjashtë vjet dhe faza e tretë është 7 deri në 10 vjet, por nuk do të thotë që dinamika e plotësimit të këtyre afateve të jetë më e shkurtër. Kjo varet shumë prej vendimeve politike në të ardhmen, e në veçanti varen nga buxheti që do të ndajë qeveria. Buxheti ndikon shumë edhe në afatet kohore se si do t’u përmbahemi. Vlen të theksohet se FSK do të jetë një forcë profesionale multietnike, e cila do të jetë e përfaqësuar nga të gjithë qytetarët e Kosovës dhe në interes të të gjithë qytetarëve të saj.

RADIO KOSOVA: Ministër, çka parasheh plani i tranzicionit?

Berisha: Ky plan i ka të parapara në detaje të gjitha aktivitetet, armatimin dhe koston për secilën pajisje, qofshin edhe pajisje individuale. Duhet theksuar se ne duhet të mendojmë dhe jemi duke punuar që edhe koncepti i trajnimit të ndryshojë, pastaj infrastruktura trajnuese të përgatitet për mision të ri. Të gjitha këto janë mirë të analizuara dhe të vlerësuara me afate kohore se kur do të përfundojnë. Pra, është një hap shumë i mirë, një lajm shumë i gëzuar për të gjithë qytetarët e Kosovës. Realisht është shumë mirë që të tejkalohet pritja e gjatë që ka qenë. Kjo ishte parapa të ndodhë në vitin 2014, pas Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë. Pas këtij rishikimi ka pasur të fillojë faza e parë. Ne si ministri dhe si FSK kemi punuar shumë në integrimin e komuniteteve jo shumicë. Gjithashtu kemi punuar edhe  në përfaqësimin e gjinisë femërore në strukturën e FSK-së. Kjo Forcë ka bërë progres dhe ka të arritura të shumta. Shumicën e kapaciteteve që i kemi arritur me misionin aktual do t’i mbajmë dhe do t’i bartim në misionin e ri që do ta ketë FSK-ja.

RADIO KOSOVA: Pas miratimit të këtyre tri projektligjeve, a keni marrë ndonjë reagim nga NATO?

Berisha : Në tërë procesin që kemi zhvilluar kemi qenë shumë transparentë me partnerët ndërkombëtarë. Realisht i kanë ditur të gjitha aktivitetet tona. Në të ardhmen unë nuk pres që NATO të marrë ndonjë hap që nuk do të jetë i dobishëm për FSK-ën. Ata kanë thënë që do ta rishikojnë bashkëpunimin, që është shumë normale. Rishikimi nuk do të thotë që është ndërprerje, por pas marrjes së misionit të ri të FSK, procesi i rishikimit është normal. Nuk besoj që do të këtë një kuptim tjetër që do të ndikonte në bashkëpunimin tonë. Ne e dimë  si merren vendimet brenda NATO-s. Brenda aleancës janë  katër shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, edhe po të kishim shkuar me ndryshimet kushtetuese, prapë NATO-ja nuk kishte mundur ta arrijë atë konsensus për mbështetjen e FSK-së. Disa prej këtyre shteteve për shkak të problemeve të brendshme që kanë, janë më agresive në raport me transformimin e FSK-së.

RADIO KOSOVA: Z. Ministër, si qëndron çështja e integrimit të komunitetit serb në FSK-ë, pas dorëheqjes së 71 pjesëtarëve të këtij komuniteti nga radhët e FSK-së?

Berisha: Këtu dalin dy çështje që duhet të shpjegohen: e para, sa i përket komunitetit serb që janë pjesë e strukturës së FSK-së, ata vërtet kanë pasur presione të ndryshme nga jashtë dhe shumica prej tyre i kanë përballuar ato presione. Ende vazhdojnë që të jenë pjesë e strukturës së FSK-ës. E mira e krejt kësaj është se asnjëri prej tyre, në kërkesat për demobilizim, nuk ka thënë se largohet për arsye të problemeve që kanë brenda FSK-së, por për shkak të presionit dhe kërcënimit. Sa i përket Listës Serbe, unë mendoj se ata duhet të mendojnë për komunitetin e tyre dhe duhet të shohin se cilat janë përfitimet e komunitetit serb, ngase me rritjen e komponentit aktiv do të rritet edhe numri i komuniteteve jo shumicë. 200 serbë të punësohen në FSK, nuk është punë e vogël. Në bisedat e zhvilluara,  pjesëtarët e komunitetit kanë thënë se ata që u kanë bërë presion për ta lëshuar FSK-në, paguhen nga buxheti i Kosovës. Kanë qenë presione jo të drejta në raport me pjesëtarët e komunitetit serb. Unë pres që edhe përfaqësuesit politikë do ta ndryshojnë qasjen.

RADIO KOSOVA: Ministër, a keni paraparë ndonjë datë të caktuar se kur do të aprovohen edhe në lexim të dytë këto tri projektligje?

Berisha: Kjo është një procedurë e rregullt, dhe në kuadër të procedurave komisionet e përhershme parlamentare dhe komisioni për siguri i ka këto tri projektligje ku duhet të vlerësojnë ligjshmërinë. Ata do të na ftojnë që t’i diskutojmë dhe të japim arsyetimet tona pse kemi vendosur të shkojmë në këtë formë dhe nëse ka ndonjë ndryshim apo ndonjë amendamentim, ata duhet t’i përgatisin për seancë parlamentare, përkatësisht gjatë leximit të dytë të këtyre projektligjeve. Por nuk kam ndonjë afat të paraparë se kur mund të ndodhë  kjo.

RADIO KOSOVA: Bashkësia ndërkombëtare dhe Bashkimi Evropian, ditë më parë, përmes një komunikate, ka thënë se Ushtria e Kosovës duhet të jetë në përputhje me amendamentet kushtetuese. Cili është qëndrimi i BE-së në raport me ministrinë që ju drejtoni?

Berisha: Nuk kemi marrë diçka zyrtare, por, para se t’i  procedojmë këto tri ligje kemi bërë kërkesë dhe kemi marrë pëlqimin e Ministrisë së Integrimeve se projektligjet janë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me legjislacionin e BE-së.

Autor: Mejreme Tahirukaj