Southgate publikon listën e Anglisë

Southgate publikon listën e Anglisë

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, ka publikuar listën e të grumbulluarve për dy ndeshjet e ardhshme që “Tre Luanët” do të luajnë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kroacisë.

E para do të jetë një miqësore dhe do të luhet më 15 tetor. E dyta do të jetë e vlefshme për Nations League dhe do të luhet tri ditë më mbrapa. 

Emri surprizë i listës është ai i Callum Wilson. Për sulmuesin 26-vjeçar të Bournemouth bëhet fjalë për grumbullimin e parë me kombëtaren. 7 golat e shënuar në 13 ndeshjet e luajtura në këtë sezon duket se kanë bindur Southgate, i cili ka punuar me lojtarin më parë në përfaqësuesen U21.

Wilson është bërë vetëm lojtari i tretë në historinë e Bournemouth që është thirrur nga kombëtarja pas Jemain Defoe dhe Lewis Cook. Gjatë ndeshjes së fundit të luajtur në kampionat kundër Manchester United, ai ka shënuar golin e tij numër 50 me kuqezinjtë në të gjitha kompeticionet.

Pjesë e kombëtares do të jetë edhe legjenda e futbollit anglez, Wayne Rooney, i cili do të jetë në dispozicion vetëm për miqësoren që “Tre Luanët” do të luajnë kundër Amerikës.