Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE, e vetmja alternativë

Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE, e vetmja alternativë

“Nuk shikoj alternativë tjetër reale për të ardhmen sesa anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian”.

Kështu deklaroi sot në Tiranë, raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputeti Knut Fleckenstein, i pranishëm në Forumin e Lidhshmërisë.

“Historia e Bashkimit Europian nisi pas Luftës së Dytë Botërore me 6 shtete, që gjetën rrugë për të zhvilluar lidhshmërinë e tyre. Sot ka 6 vende në Ballkanin Perëndimor që ende nuk janë anëtarë të BE-së. Shtegu më i qartë, është ndërtimi i së ardhmes së bashku edhe nga ana ekonomike, politike e sociale”, – tha ai.

Sipas tij, alternativa reale për të ardhmen është anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE. “Vazhdimisht i kujtoj kolegëve të mi në Gjermani dhe Parlamentin Europian, se kjo është në interesin tonë. Por ka shumë që mund të arrihet para se anëtarësimi të bëhet realitet. Nëse ky rajon e mendon veten realisht jo si një arkipelag ishujsh, por si një trupë e vetme me forca të qenësishme për ndërlidhjen, këto potenciale mund të zhvillohen”, – tha Fleckenstein.

Ai i inkurajoi vendet e Ballkanit Perëndimor që ta shohin këtë si një projekt të përbashkët për rajonin.

Duke nënvizuar rëndësinë e ndërlidhjes jo vetëm vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe për BE-në, Fleckenstein solli si shembull rastin që ndodhi në muajin mars të këtij viti, kur sipas tij, “një mëngjes, në mbarë Europën, qytetarët u zgjuan duke parë që ora e tyre dixhitale, tek e cila varet dhe jeta e tyre e përditshme, ishte 6 minuta pas kohës faktike”.

“Kjo çështje ishte e lidhur me mosmarrëveshjen energjetike Kosovë-Serbi dhe kishte efekt në rrjetin energjetik të mbarë Europës, i cili ndikon në orët elektronike që janë të lidhura me këtë rrjet. Pra ne jemi të lidhur në rutinën tonë të përditshme me Ballkanin Perëndimor”, – tha ai.

Ndërkohë vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas tij, “duhet të kuptojnë potencialin ekonomik që ekziston në këtë rajon, duke formuar një hapësirë më të unifikuar ekonomike”.