Prodhimet Cobiax të Kosovës po eksportohen nëpër Evropë

Prodhimet Cobiax të Kosovës po eksportohen nëpër Evropë

Në fabrikën e plastikës “Heinze” në Rogovë të Hasit është prezentuar sistemi Cobiax, përmes së cilit mund të kursehen materiale ndërtimore, të reduktohet pesha e objektit dhe të krijohet më shumë hapësirë.

Ky sistem u prezentua sot në këtë fshat, gjatë ndërtimit të një shtëpie, ku morën pjesë përfaqësues të kompanisë ‘Heinze’, inxhinierë e studentë të inxhinierisë.

Fitim Hoti, pronar i kompanisë, përfaqësuese për Kosovë, ka thënë se kjo kompani pwrveç që prodhon produkte të licensuara të sistemit Cobiax, ka rritur edhe numrin e të punësuarve pas bashkëpunimit me kompaninë gjermane.

Hoti: Produktet Cobiax janë të licensuara

“Është një moment shumë i mirë sepse kemi përkrahje prej Gjermanisë edhe produkti është i patentuar prej kompanisë në Gjermani, ‘Heinze Group’  dhe ne e bëjmë prodhimin e këtij produkti, e eksportojmë në gjithë Evropën por edhe në shtete të tjera të botës, kështu që rezulton shumë mirë dhe pozitivisht, punojmë 24 orë pa ndërprerë”, tha Hoti.

Kurse drejtori i shitjes në këtë kompani, Mehmet Kelmendi, tha se kjo kompani i prodhon vet produktet e sistemit Cobiax, të cilat i shet në mbarë botën, dhe shtoi se shitja po rezulton me sukses.

Kelmendi: Eksportojmë jashtë Kosovës, sidomos në Dubai e Gjermani

“Cilësia është shumë e rëndësishme, sidomos te produkti i Cobiax-it, lëndën e parë e blejmë në Gjermani, diku një mijë tonw këtë vit edhe bëjmë 100 përqind eksport. Momentalisht eksporti bëhet më shumë në Dubai dhe në Gjermani”, ka thënë Kelmendi.

Drejtori menaxhues në kompaninë “Heinze” në Gjermani, Karsten Pfeffer, tha se ndihet i lumtur teksa sheh që ky projekt po realizohet me sukses dhe që studentët po interesohen për së afërmi. Ai potencoi faktin që këto produkte të prodhuara në Kosovë po shiten mbarë botën.

Pfeffer: Prodhimet e Kosovës po eksportohen nëpër botë

“Për shumicën e njerëzve ende është një teknologji e re, por në fund të fundit është një mënyrë për të formuar një sistem më praktik e më efiçient, dhe ne kemi krijuar një brend të fuqishëm nëpër botë me partnerët tanë ndërkombëtar dhe gjëja interesante është se të gjitha këto produkte prodhohen në Kosovë me teknologji gjermane”, ka thënë Pfeffer.

Kurse inxhinieri Mentor Binakaj, foli për rëndësinë që ka ky sistem gjatë ndërtimit të shtëpive. Ai tha se përdorimin e këtij sistemi, kursehen materiale në ndërtimtari dhe lirohet më shumë hapësirë në objekt. Sipas Binakajt, me anë të këtij sistemi pesha e objektit mund të reduktohet nga 1.5 deri në 4.8 kilo Njuton për metër katror.

Binakaj: Ky sistem sjellë shumë benefite në ndërtim

“Qëllimi i tij është i shumëanshëm, ka shumë benefite me këtë produkt sepse domethënë letësohet pesha vetjake e objektit, krijohet hapësirë më e madhe brenda objektit edhe ka kosto më të ulët të ndërtim, kursehet beton, armaturë edhe shumë e shumë benefite tjera”, ka thënë Binakaj.

Gjatë prezentimit të këtij sistemi, ishin të pranishëm edhe studentë të UBT-së, të cilët panë për së afërmi se si instalohet Cobiax dhe patën mundësinë të bisedojnë edhe me shpikësin e këtij sistemi, Karsten Pfeffer.

Përndryshe, “Heinze Sh.p.k” në Rogovë është themeluar në vitin 2016, si përfaqësues të kompanisë gjermane me të njejtin emër, dhe qysh prej atëherë ofron produkte të sektorit të ndërtimtarisë që shiten edhe nëpër Evropë.