Në vitin 2019 artistët në Kosovë do të kenë ligjin e tyre

Në vitin 2019 artistët në Kosovë do të kenë ligjin e tyre

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka dhënë një premtim publik. Para komunitetit të artistëve, sot ai është zotuar se në vitin 2019 për herë të parë në Kosovë artistët do të kenë ligjin e tyre.

Këtë zotim, Gashi e ka bërë në një ceremoni të organizuar nga krijuesit, përformuesit dhe punonjësit e trashëgimisë kulturore. Aty, Gashi ka ndarë edhe mirënjohje për punonjësit që kanë dalë në pension, si falënderim për kontributin e dhënë në fushën e artit.

Me një program artistik, sonte në Prishtinë u bënë bashkë krijuesit, performuesit dhe punonjësit e trashëgimisë së kulturore dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Pas shumë ankesave dhe grevave të organizuara nga komuniteti artistik në Kosovë, ishte një vendim i Qeverisë, që ata të marrin pagën me rritje prej 50 për qind.

Duket se kjo ka gëzuar artistët, të cilët me organizimin e sotëm falënderuan ministrin për Gashi për përkrahjen që u ka dhënë MKRS-ja.

Ministri Kujtim Gashi pranoi se ka pas kohë të vështira, protesta e greva, por sipas tij, me rritjen e pagave, është finalizuar një prej premtimeve të tij dhe kërkesave të artistëve.

Ai tha se është  i vetëdijshëm se artistët kanë kërkesa e nevoja të tjera, përfshirë këtu infrastrukturën ligjore dhe objektet kulturo-artistike.

“Me këtë ngritje prej 50 për qind të pagave, një numër i madh i punëtorëve teknik dhe ata që drejtojnë institucionet e kulturës nuk kanë përfituar, por në Kuvend është në agjendë edhe ligji për pagat, dhe besoj që në mënyrën më të mundshme më të mirë do të trajtohet çdo punonjës i kulturës. Në vitin 2019 ta kemi të gatshëm ligjin e ri për krijuesit.  Jam i bindur që gjatë vitit 2019 do të ndodh kjo, e jap premtim publik që për herë të parë në Kosovë komuniteti artistik do ta ketë ligjin e tyre”, tha ai.

Ndërsa nga Teatri Kombëtar i Kosovës, foli artisti Adrian Morina. Ai tha se të gjithë zyrtarët institucional duhet t’i mbajnë premtimet e dhëna.

“Ne nuk jemi sonte këtu që t’i bëjmë kurorë mbretërore askujt, por deshtëm të jemi të sinqertë, ashtu siç dimë të jemi kritikë. Duam që kjo ditë të shënohet si shembull dhe shtytje për zyrtarët e tjerë shtetërorë që të kuptojnë sa e rëndësishme është mbajtja e fjalës. Ky nuk është fundi i ambicieve tona, besoj as i MKRS-së, le të jetë një fillim i mbarë. Ne bashkë e mbajtëm fjalën”, tha ai.

Ministri Kujtim Gashi tha se MKRS-në dhe artistët i presin edhe shumë punë të tjera, ndërkohë që shtoi se “ambasadorët e vërtetë të shtetit janë artistët”.

Ai u zotua se MKRS do të jetë partneri kryesor në avancimin e kërkesave të artistëve dhe në promovimin e kulturës shqiptare anë e mbanë botës.

Në këtë organizim, përveç një programi artistik, u ndanë edhe mirënjohje për kontributin e dhënë për punonjës të cilët kanë dalë në pension në kohën e fundit.