Mosheqja e vizave, pengesë për zhvillimin e ndërmarrësve të Kosovës

Mosheqja e vizave, pengesë për zhvillimin e ndërmarrësve të Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se pengesë e madhe për ndërmarrësit në Kosovë, e veçmas për ndërmarrësit e rinj, është mungesa e lirisë së lëvizjes për shkak të regjimit të vizave.

Ai në samitin “Startup Europe Summit” në Sofje të Bullgarisë, tha se Bashkimi Evropian duhet të marrë vendim pozitiv për vizat,  pasi Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e parapara në këtë proces.

Në panelin për përmirësimin e kushteve dhe kornizës ligjore për ndërmarrje të reja, Hoxhaj theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e zhvillimit ekonomik përmes inovacionit, si dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, duke krijuar qasje më të lehtë në financa. 

“Kosova është e përkushtuar të jetë në hap me trendet e fundit të zhvillimit ekonomik përmes inovacionit dhe digjitalizimit, për çka edhe jemi duke u angazhuar vazhdimisht për krijimin e kushteve dhe lehtësirave si nga ana ligjore ashtu edhe nga ana financiare”, tha ai. 

Në këtë samit morën pjesë edhe përfaqësues të Qendrës për Inovacion në Kosovë, si dhe ndërmarrës të shumtë nga Kosova.