Kuka numëron medaljet, u thotë fituesve se po ia shpaguajnë mundin

Kuka numëron medaljet, u thotë fituesve se po ia shpaguajnë mundin

Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës në xhudo, Driton Kuka, duke numëruar medaljet, suksesi dhe angazhimin e xhudistëve tonë, ka thënë se sivjet si asnjë vit më parë kanë funksionuar si ekip dhe si ekip asnjëherë nuk kanë pas medalje e suksese më shumë.

Ai në Facebook ka shkruar se Grand Prix Haga mori fund me dy medalje, një e argjendtë dhe një e bronztë, si dhe një garues pa plasman.

“Deri në fund të vitit do kemi edhe një garë Masters në Kinë ku do marrin pjesë Distria,Akili dhe Nora! Do i kursej Majlinden dhe Lorianen. Grand Prix në Hagë përfundoj me dy medalje dhe Loriana mbeti pa medalje. Loriana pas dy të artave dy javë me radhë realisht e ka pas kohën të pushoj,por ajo sivjet ka tejkaluar pritjet e mia që i kisha në fillim të vitit prej saj! Sivjet në Kampionate Evropiane kemi fituar 6 medalje kurse në Kupa Botërore Grand Slam dhe Grand Prix ma shumë se kurdoherë më parë”, ka shkruar ai duke numruar titujt e fituar.

“Titujt Kampion Evropian sivjet i fituan Nora Gjakova 57 kg për të rritura, Akil Gjakova U23 deri 73 kg, Loriana Kuka 78 U23 deri 78 kg dhe Erza Muminoviq U 18 deri 44 kg. Nënkampion Evropian Distria Krasniqi 52 kg për të rritura  dhe Shpat Zekaj U21 deri 100 kg. Medalje në Lojërat Mesdhetare 3 të arta dhe një e argjendtë, Medalja e bronztë në Lojërat Olimpike për të rinj e fituar nga Erza”, ka shkruar ai, duke shtuar se rikthimi i Kampiones Olimpike ishte triumfal.

“Sivjet si asnjë vit më parë kemi funksionuar si ekip dhe si ekip asnjëherë skemi pas medalje e suksese më shumë! Momentalisht i kemi 5 Norma Olimpike! Shkurt e shqip po më shpaguani krejt mundin e punën me ju”, ka shkruar ai.