Haradinaj: S’kemi pasë çare pa e rritë masën për mallrat e Serbisë

Haradinaj: S’kemi pasë çare pa e rritë masën për mallrat e Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se marrja e vendimit për rritjen e taksës është veprim i zorit, pasi sipas tij Serbia e ka bllokuar Kosovën.

“Ne e kemi bërë një analizë të  marrëveshjes së CEFTA-s nga Serbia. Malli i Kosovës ka pas vështirësi me hy në Serbi, çdo produkt që ka hy është analizuar, e ka penguar transportin. E ka penguar ani pse ne jemi ankuar disa herë. Kjo është një masë legjitime që e ka marrë Kosova, e kemi paralajmëruar se kjo mund të rritet", tha ai.

Ndërsa, sa i përket asaj se a është analizuar se do të ketë reagime ai tha se kjo rritje është bërë nga zori. " Janë bërë 20 vjet nga lufta, 10 vjet nga pavarësia dhe e kemi pa që Serbia nuk po tregon mirëkuptim për normalizim të marrëdhënieve, e di Amerika e dinë të gjithë. Janë veprime të zorit", tha ai.

 Sa i përket dështimit të anëtarësimit në Interpol dhe asaj që Qeveria kishte ndarë 1.2 milionë euro për lobim, Haradinaj ka thënë se Serbia e ka bërë punën e saj.

"Bëhet fjalë për votën e 2/3, është një botë e vështirë. Serbia natyrisht e ka bërë punën e vet, është edhe gjeopolitikë që është bërë. Edhe puna jonë ka mund të bëhet më mirë. Mirëpo, ju siguroj se të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë kanë qenë aktiv. Po është një qasje shumë agresive e Serbisë. Çdo para e shpenzuar ka argumentimin e vet, çdo gjë që e parasheh ligji ", tha ai.

Kryeministri ka folur edhe lidhur me pezullimin e vendimit për pronat e AKP-së për të cilat është ankuar presidenti.

“Nëse është rrezikuar siguria kombëtare kërkoj falje, është një veprim i pa bazë i presidentit. Çka do që bjen Kushtetuesja e respektojmë", tha ai.

Haradinaj edhe njëherë ka thënë se ndarja e Kosovës nuk është opsion