Promovohet monografia “Idriz Seferi një jetë për Shqipëri”

Promovohet monografia “Idriz Seferi një jetë për Shqipëri”

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se figura e Idriz Seferit është një mburojë gjigante e lirisë së shqiptarëve dhe emër që na obligon të punohet më shumë që ideali i shqiptarëve të jetë sipas projeksionit që heronjtë dhe të rënëve ndër breza.

Ai këto komente i bëri me rastin e promovimit të monografisë “Idriz Seferi, një jetë për Shqipëri”, e cila është përgatitur nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” nga Gjilani.

Kreu i Gjilanit tha se amaneti i dëshmorëve dhe heronjve ishte për bashkimin e trojeve dhe duhet të gjithë shqiptarët të bashkohen për realizimin e këtij amaneti.

“Edhe ky nëntor shqiptarët i gjen të ndarë në shumë territore dhe në dy shtete. Sot me shumë vështirësi mund të shkohet në vendlindjen e Isa Boletinit, kurse për vendlindjen e të parëve të Idriz Seferit pothuajse është e pamundur të vizitohet. Është koha që Prishtina, Tirana dhe fqinjët tanë, ta kuptojnë se bashkimi i shqiptarëve askënd nuk e pengon dhe bashkimi është i natyrshëm herë-do-kur”, ka thënë ai. 

Ndërsa, Fehmi Rexhepi, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, ka thënë se libri është me një përmbajtje të veçantë të jetës, punës, luftës dhe angazhimit të madh që dha Idriz Seferi deri në vdekje. 

Naim Musliu, kryetar LHK “Ali Hadri” në Gjilan, ka thënë se ky libër ka ardhur deri në dokumentim të tij pas simpoziumit shkencor të mbajtur në marsin e vitit 2017, ku punimet shkencore të lexuara në atë event, sot janë të botuara në këtë libër. 

Me referimet e tyre janë paraqitur edhe Nexhmedin Sejdiu dhe Blerim Haziri, të cilët kanë përmbledhur aspektin shkencor, profesional dhe përmbajtësor të librit që sot është promovuar në kuadër të festës së flamurit kombëtar.