“Ora e Tahir Deskut” i jepet Kaltrina Malokut

“Ora e Tahir Deskut” i jepet Kaltrina Malokut

Çmimi letrar “Ora e Tahir Deskut”, të cilin për çdo vit e ndanë Komuna e Klinës, këtë vit i është dhënë shkrimtares së re Kaltrina Malokut për romanin “Britma e shpirtit” botuar vitin e kaluar nga shtëpia botuese “Armagedoni”. Shkrimtarja Kaltrina Maloku, e cila e ka pranuar këtë çmim në Shtëpinë e Kulturës “Jehona Dukagjinit”, në Klinë, ka thënë se ky çmim e motivon për të shkruar dhe botuar edhe në vitet e ardhshme.

“Ndarja e çmimit me emrin e shkrimtarit, publicistit dhe reporterit të luftës së UÇK-së, Tahir Desku, është nder i madh për mua, por edhe motiv për të vazhduar që të shkruaj në të ardhmen”, tha Maloku.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, tha se organizimi i orës letrare, përveçse përkujton shkrimtarin e shquar Tahir Deskun, është edhe një vlerësim për krijuesit dhe talentët e vargut poetik.

“Çmimet që i ndajmë sot, edhe pse janë tepër modeste, janë mirënjohje për krijuesit”, është shprehur kryetari Elezaj.

Për figurën e Tahir Deskut ka folur shkrimtari Mikel Gojani i cili para të pranishmëve e ka vlerësuar lart figurën e Deskut, kurse për romanin “Britmat e shpirti” ka folur shkrimtari Hajdin Morina, të cilët kanë qenë anëtar jurie për dhënien e këtij çmimi.

Shkrimtarja Maloku deri më tani ka botuar dy romane “Heshtja e Kohës” (2015) dhe “Britmat e shpirtit” (2017) si dhe librin për fëmijë “Ma fal buzëqeshjen” (2018)