KKSB: Gjendja e sigurisë mbetet e qetë në Gjilan

KKSB: Gjendja e sigurisë mbetet e qetë në Gjilan

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) e ka vlerësuar të qetë gjendjen e sigurisë në Gjilan, por njëkohësisht ka shprehur keqardhje për disa raste të plaçkitjeve që kanë ndodhur në zonën e Bresalcit, që sipas raportit të policisë, në rajonet tjera të Kosovës, kanë qenë më të theksuara.

Halit Rexhepi, kryesues i kësaj trupe komunale të sigurisë, ka thënë se plaçkitjet e armatosura në Bresalc, kanë shqetësuar banorët, duke përmendur si rast konkret familjen Uzunaliq, e cila ka qenë njëra nga shënjestrat e hajnave të armatosur.

“Majori Alban Ramushi, komandant i Stacionit Policor në Gjilan, ka thënë se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e qetë, ndërsa si preokupim të policisë ka përmendur vjedhjet e kafshëve, që më tepër janë shfaqur në komunat fqinje, por duke mos e kursyer as Gjilanin, ndonëse këtu rastet janë më të pakta”.

“Ndërkaq në lidhje me disa plaçkitje të armatosura, të cilat u ngritën si shqetësim nga KKSB, ai ka nënvizuar faktin se ky fenomen ka një shtrirje në disa rajone të Kosovës dhe se policia është duke bashkëpunuar në zbulimin e kryesve dhe tashmë ka edhe persona të ndaluar”.

“Përgjithësisht, në krahasim me vitin e kaluar, në Gjilan ka një rënie të rasteve të vjedhjeve nëpër shtëpia”, ka thënë Ramushi.

“Ndërkaq, vërehet një shtim i rasteve të dhunës në familje dhe abuzimit me narkotikë, por ndoshta kjo është rezultat i vetëdijesimit të qytetarëve për t`i paraqitur problemet si dhe i efikasitetit të policisë në zbulimin e rasteve”.

Përndryshe, KKSB i ka ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë mundësinë për legalizimin e armëve, në kuadër të një procesi ligjor që fillon nga 17 dhjetor 2018 dhe zgjat deri më 17 qershor 2019.