Trupa e Baletit të Kosovës sjellë sonte premierën e shfaqjes O.TAKA

Trupa e Baletit të Kosovës sjellë sonte premierën e shfaqjes O.TAKA

Sonte duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtarë do të jetë premiera e shfaqjes O.TAKA me koreografi nga Sinan Kajtazi. Shfaqja sjellë historinë e një valltari i cili përmes vallëzimit mundohet të gjejë shpëtim.

Osman Taka, një personazh i cili ka qenë një funksionar në fund të Perandorisë Osmane për shkak të aktivitetit të tij politik dhe pasi i takon në familje patriotike shqiptare shumë të njohur të kohës, dënohet me varje. Osman Taka, i njohur në rrethin ku ka jetuar si një valltar i jashtëzakonshme, dëshirë të fundit e ka që ti lejohet që të vallëzojë.

“Do të përpiqem që si temë ta shndërroj në diçka aktuale pasi fatkeqësisht edhe sot ne si balerinë jemi të dënuar në forma të ndryshme, duke përmendur këtu se jemi të detyruar që të punojmë në kushte të vështira me shumë sfida.

Ajo çka ne bëjmë shpeshherë edhe na ka shpëtuar. Në shfaqje jam duke punuar akoma sidomos në pjesën e fundit. Mendoj se Osman Taka nuk ka gjetur shpëtim pasi pas një periudhe që është falur ai prapë është vrarë në pritë. Ngjarjen e Osmanit e kam si bosht për realizimin e kësaj shfaqjeje”, pati treguar Kajtazi për KultPlus. Ai përveç krijimit të koreografisë ka punuar edhe muzikën e shfaqjes.

Koreografi dhe balerini Sinan Kajtazi është rritur në skenën e Teatrit Kombëtar. Dërrasat e kësaj skene kanë pritur qindra kërcime të tij dhe qindra duartrokitje që kanë ardhur nga publiku. Mbi supet e tij qëndrojnë më shumë se 50 shfaqje si balerinë.

Pjesë e kësaj shfaqje do të jenë balerinët: Abetare Hyseni, Aulona Nuhiu, Besarta Shaljani, Donmir Bilalli, Drilon Podrimçaku, Elmedina Berisha, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Jeta Musolli, Liridon Mziu, Luljeta Ademi, Marigona Hoxha, Mergime Morina, Mimoza Bytyqi, Muhamet Bikliqi, Niki Musolli, Nora Gashi, Sead Vuniqi, Teuta Krasniqi, Vjollca Llugiqi, Vlora Prizreni. Kostumet janë realizuar nga Vesa Kraja ndërsa skenografia nga Aziz Maloku./ KultPlus.com