Rrëfehet Montella: Gattuso e teproi, ja pse u bë Bonucci kapiten

Rrëfehet Montella: Gattuso e teproi, ja pse u bë Bonucci kapiten

Kur ka kaluar më shumë se një vit pas shkarkimit nga stoli i Milanit, Vincenzo Montella rikthehet të flasë për eksperiencën e tij te kuqezinjtë, duke nisur nga një detaj që nuk i ka pëlqyer aspak: kritikat e Gattusos ndaj tij.

“Pas deklaratave të tij në Benevento për gjendjen fizike të organikës, e telefonova për t’i thënë se po gabonte, duke insistuar te përgatitja atletike nëpër deklaratat e tij. Ishte duke e ekzagjeruar, po fliste për diçka që po cënonte drejtpërdrejtë mënyrën time të punës. Sigurisht që Gattuso po e bën mirë punën e tij, po nuk ishte e drejtë që të më cënonte mua dhe kompetencat e mia. Kam 5 apo 6 vite më shumë eksperiencë në Serinë A, prandaj njohuritë e mia janë të bazuara. Madje sfidoj këdo që do të më kundërshtojë. Kur ishte pranë shkarkimit nuk më erdhi mirë, nuk jam gëzuar kurrë për disfatat e të tjerëve në jetën time”, tha ish tekniku i Milanit.

Më pas Montella shton se një vit pas shkarkimit ka reflektuar mbi aventurën e tij, duke dalë në konkluzionin se disa gjëra duhet t’i kishte bërë ndryshe, ndërsa pranoi se ndoshta do të ishte më mirë të ishte larguar më herët.

“Kujtoj se drejtuesit e klubit e humbën besimin tek unë. Sigurisht që më erdhi keq t’i jepja lamtumirën Milanit, pasi misioni im nuk u përmbush. Gabimi im ishte që po bëja lojën e drejtuesve, duke kënaqur organikën dhe tifozët me premtime mbi objektivat madhorë, ndërkohë që duhet të kisha mbajtur një profil më të ulët. Duhej t’i merrnin gjërat më shtruar, me pak më shumë durim dhe me eksperiencë do të kishim ecur në drejtimin tjetër. E di që po të më kishin lënë edhe pak hapësirë do të isha rritur bashkë me skuadrën, por m’u mohua koha që më nevojitej. Pritshmëritë shumë të larta ishin një gabim teknik, e vendosa stekën shumë lart, por sigurisht ishte e vështirë të mos ndikoheshe nga ambienti. Ndoshta do të kishte qenë më mirë të isha larguar pas vitit të pare, kur fituam Superkupën”, u shpreh Montella.

Për ta përfunduar, ish tekniku i kuqezinjve sqaroi edhe vendimin e befasishëm, për t’i dhënë shiritin e kapitenit Leonardo Bonuccit, menjëherë pasi mbrojtësi la Juventusin, për t’iu bashkuar Milanit.

“Diçka të tillë, Bonuccit ia kishin premtuar drejtuesit e klubit dhe ishin ata që e vendosën. Personalisht, i thashë se mund të ishte kapiten edhe pa mbajtur një shirit në krah”, tha Montella.