City rrezikon përjashtimin, ja çfarë thotë Guardiola

City rrezikon përjashtimin, ja çfarë thotë Guardiola

Lajmi u përhap me shpejtësi pak orë pas publikimit në “Der Spiegel”: “Manchester City rrezikon përjashtimin nga Europa sezonin e 2019-2020”.

Problemi është po ai, “Fair Play Financiar”. Por, këtë herë shkelja janë kontratat fantazmë të sponsorizimit që 4 vite më parë shpëtuan “qytetarët” nga përjashtimi nga Championsi.

Në vitin 2014, kampionët e Anglisë akuzohet se kanë manipuluar shifrat e bilancit të humbjeve, me shifra superiore nga ato të deklaruara, por shpëtuan falë injektimit artificialisht në llogari të plot 68 milionë paundësh (75 milionë euro) përmes një kontrate sponsorizimi të nënshkruar me kompaninë e fluturimeve ajrore “Etihad Airlines”.

Por, këtë herë situata duket akoma më shumë serioze sesa precedentët, duke qenë se në Dublin, me rastin e takimit të fundit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, edhe presidenti Aleksander Ceferin, konfirmoi se ka nisur një hetim dhe bëhet fjalë për një rast të rëndë, ndërsa vendimi do të komunikohet shumë shpejt.

Në përfundim të ndeshjes me Watfordin, trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, nuk e fshehu shqetësimin e tij: “Nëse UEFA do të marrë një vendim, atëherë klubi do të dalë me një deklaratë. Do të më pëlqente, sepse kështu do të mund të mësonim se për çfarë bëhej fjalë dhe të gjitha këto zëra do të përfundonin. Vetëm në atë moment do të mësojmë nëse kemi bërë shkelje dhe njerëzit do rreshtin së foluri. Por, unë kam besim të plotë te klubi. Nëse ka diçka që nuk shkon, ata do të na e thonë”.