Sejdiu: Prioritet është renovimi i sallave kirurgjike

Sejdiu: Prioritet është renovimi i sallave kirurgjike

Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), Basri Sejdiu në një intervistë për Radio Kosovën, ka deklaruar se pas investimit në shtretër, prioritet kanë komplet renovimin e sallave kirurgjike të cilat do të jenë me standarde evropiane.

Radio Kosova: Z. Sejdiu, po fillojmë me disa ndryshime që kanë ndodhur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, e kemi fjalën për disa aparatura të reja të cilat i kanë përmirësuar kushtet e punës për mjekët të cilët ofrojnë shërbime mjekësore për pacientë?

 

Basri Sejdiu: Edhe në fillim e kam cekur që do t’i marrim me prioritetet   klinikat të cilat janë në vijën e parë për t’u ofruar shërbime shëndetësore pacientëve dhe të cilat janë me të frekuentuarat. Një prej tyre ka qenë edhe Qendra Emergjente. Ju e dini që aty është investuar, është një investim solid, mirëpo, shumë funksional.

 

Duke llogaritur që aty përveç krijimit të infrastrukturës  dhe furnizimit konkret me pajisje të reja, ku tani pacientët dhe mjekët ndihen shumë më mirë, mjekët kanë deklaruar publikisht se tani po e ndiejnë vetën si mjekë, tani me ato kushte të krijuara….Eh... me një përvojë nga e kaluara ku mjekët shpesh edhe janë sulmuar gjatë ofrimit të shërbimeve shëndetësore dhe ka qenë e pamundur të punohet ne mënyrë normale. Gjithashtu i  kemi përshpejtuar procedurat për mjekim intensiv të ri se tani është një objekt i ri më kapacitet më të madh të shtretërve.

Radio Kosova: Sa shtretër  ka tani mjekimi intensiv ?

Basri Sejdiu: Tani ka 27 shtretër, ngase i ka pasur vetëm 14 dhe kuptohet se 14 shtretër në nivel të Kosovës kanë qenë mjaft pak dhe çdo shtrat i kërkuar prej pacientëve me sëmundje të rëndë është dashtë të bëhet një zgjidhje ose të kërkohet diku në ndonjë institucion privat, ku për një natë kushton rreth 1 mijë euro trajtimi.

Ndërsa prioritet tjetër është edhe projektimi i sallave kirurgjike, që të thotë e kemi një projektues dhe paguhet nga Qeveria e Luxsembugut, ku do të hyjmë komplet renovim të sallave kirurgjike e të cilat do të jenë më standarde evropiane. Kjo do të thotë se me këtë renovim do të eliminohen edhe infeksionet Intra-Spitalore.

Radio Kosova: Me vite të tëra ka pasur raportime nga mediat për mungesën e mjekëve në punë, ndërsa nuk është vërejt ndonjë përmirësim në këtë aspekt. A është dashur që diçka e tillë të ndodhë nga menaxhmenti, apo do të thotë se ka pasur keqmenaxhim?

Baeri Sejdiu: Kjo ka qenë një shtytje që të fillojë vetë të dal në terren dhe të shoh se çka po ndodhë. Vizitat që i kam bërë në disa klinika, diku 8 klinika brenda nate, ka qenë një zhgënjim i madh, nuk kam menduar që mjekët në kujdestari nuk rrinë në vendin e tyre të punës dhe në atë kohë kur mjeku nuk është në vendin e punës e kur llogaritet që gjatë kujdestarisë është edhe drejtor, sepse në atë kohë nuk ka më mjekë të tjerë, atëherë kjo është një shkelje shumë e rëndë.

Ne kemi marrë masa vetëdijësuese, sepse nëse një mjek ndëshkohet një herë, atëherë duhet të vetëdijesohet jo vetëm mjeku por edhe rrethi. Jo vetëm në QKUK, por edhe në Spitale Regjionale. Duhet të krijohen kushte, duhet të rriten pagat, duhet të dërgohen nëpër edukime, mirëpo, është e udhës që edhe stafi ta respektojë vendin e punës edhe të ketë një disiplinë në punë, sepse në ushtri dhe shëndetësi nëse nuk ka disiplinë edhe rregull, atëherë është një anarki shumë e rrezikshme, sepse pësojnë pacientët.

Radio Kosova: Keni pasur ankesa të shumta nga mjekët.. drejtor?

Basri Sejdiu: Po, ankesa prej me të ndryshmeve, edhe të devijuara, se janë bërë me qëllim, e që në fakt aspak nuk janë të drejtuara drejt individit, përkundrazi janë në atë drejtim që të mbrohen kolegët, se nëse ti e suspendon një mjek në një moment kur nuk ka pasur pasoja të mëdha, atëherë i ke ndihmuar atij, se nëse një mjek nuk rrinë në kujdestari dhe larg qoftë vdes një pacient në mungesë të mjekut, atëherë kjo kalon në vepër penale.

Radio Kosova: Z Sejdiu, a keni njohuri se sa para i kanë shpëtuar buxhetit të Kosovës me funksionimin apo me punën 24 orësh që po e bënë stafi i Kardiokirurgjisë dhe Kirurgjisë invazive?

Basri Sejdiu: Në fakt diku rreth 2200 koronarografi që janë kryer ende pa u kryer viti dhe diku rreth 1400 stentime, dhe duke i llogaritur se sa kanë qenë faturat të cilat i ka paguar ministria, nëpërmjet fondit për trajtim jashtë institucioneve publike. Zakonisht për një pacient kemi pasur fatura prej 8 mijë, 10 mijë apo edhe 12 mijë euro dhe llogaritni tash, të shumëzohen këto me 1400-1500 raste, atëherë është mbi 10 milionë euro minimalisht vlera që kursehet nga buxheti i shtetit me punën që është duke u bërë.

Njëjtë është edhe me kardiokirurgjinë, që do të thotë një disekacion i aortës në institucionet private është me vlera shumë të larta, shpesh ndodh mbi 28 mijë euro, e kjo te ne trajtohet pa pagesë.

Radio Kosova: Zotëri Sejdiu, kam një pyetje lidhur me menaxhimin e barërave nga Depoja Qendrore e Barnatores së QKUK-së. Si menaxhment, s’keni ndonjë mekanizëm për mbikëqyrjen e barërave nga depoja qendrore deri te pacientët, sepse të gjithë e dimë se ka pasur keqpërdorime në këtë aspekt? 

Basri Sejdiu: Softueri është blerë nga Ministria e Shëndetësisë, për sistemin e menaxhimit të stokut farmaceutik. Dhe këtu në SHSKUK kemi filluar projektin e krijimit të barnatoreve klinike dhe barnatoreve të repartit. Fillimisht janë në procedurë të prokurimit rreth 10 barnatore klinike. Me këtë sistem të menaxhimit te stokut farmaceutik, barërat që vijnë në Barnatoren Qendrore do të distribuohen nëpër barnatore klinike dhe të reparteve, dhe ky sistem do të mundësojë përcjelljen e secilit barë prej hyrjes e deri te pacienti dhe do të evidentohet edhe pacienti që e ka marrë atë.

Këtë projekt jemi duke e realizuar dhe është duke ecur mirë. Shpresoj se nga fillimi i viti i ardhshëm, do të finalizohet edhe nga aspekti softuerik edhe nga aspekti infrastrukturor. Kemi punësuar së fundmi 7 farmacistë. Presim punësime të tjera. Kështu që sa i përket barërave, definitivisht mund të them se jemi në rrugë të mirë të krijimit të kushteve sa më të mira sa i përket marrjes, distribuimit dhe përcjelljes e monitorimit të barërave deri te pacienti që do t’i marrë.

Radio Kosova:  Zotëri Sejdiu, kam edhe një pyetje sa i përket parkingut të QKUK-së. Ka ankesa nga qytetarët se paguajnë shumën e caktuar për parking, ndërkohë nuk kanë vend-parking? 

Basri Sejdiu: Dua t’ju informoj se e kemi nënshkruar dhe ka filluar projekti i ndërtimit të një parkingu. Vlera do të jetë diku rreth 300 mijë euro. Është afër emergjencës së re. Është bërë projekti, janë bërë specifikat dhe është nisur si procedurë. Domethënë, ky do të jetë një parking i madh që do të absorbojë numër të madh të makinave.

Paralelisht jemi duke e bërë edhe një monitorim më të mirë dhe kontroll më të madh sa i përket shpërndarjes së kartelave për hyrje-dalje me automjete që janë për stafin. Jemi duke bërë një kontroll, se ndodh që aty është dhënë numër më i madh i tyre, mirëpo vazhdimisht, për çdo ditë, anulohen kartelat të cilat nuk e arsyetojnë formën e marrjes. Kështu që do të reduktohet edhe numri i makinave që hyjnë në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare.

Autor: Vaide Morina


MË SHUME NGA Intervista