Dhërmiu, fshati turistik që po rilind

Dhërmiu, fshati turistik që po rilind

Qendra historike e fshatit turistik të Dhërmiut, në bashkinë e Himarës, i vendosur buzë detit Jon dhe në shpatet e maleve, midis gjelbërimit të ullinjve dhe agrumeve të shumta po rilind falë investimeve që po kryhen.

Restaurimi po bëhet në kuadër të projekteve të integruara që Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton në bashkinë Himarë me financim të qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Europës.

Kryeministri Edi Rama uron mirëmëngjes me pamje nga punimet për rilindjen e qendrës historike.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga kantieret e punës për rilindjen e qendrës historike të Dhërmiut, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.

Ky projekt i veçantë në llojin e vet për restaurimin e fshatrave turistikë, ka për qëllim të rikthejë vlerat historike dhe kulturore të Dhërmiut dhe kthimin e tyre në produkt turistik të zonës, krahas plazheve të mrekullueshme.

 

Dhërmiu shtrihet në fund të një plazhi më tepër së pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon më një kodër, mbi të cilën ngrihet manastiri i Shën Theodhorit, transmeton atsh.

Fshati përbëhet nga tre lagje: Kondraqa, apo Kallami që është lagja e parë për ata që vijnë nga Llogoraja; vijuar nga Gjileku dhe Dhërmiu – lagja e tretë dhe më e madhja që i ka dhënë edhe emrin fshatit.

Në total, tërë fshati ka rreth 600 shtëpi, ku rreth 300 janë në Dhërmi, 150 në Gjilek dhe 150 në Kondraq. Fshati i Dhërmiut ndodhët 52 km në Jug të Vlorës, 72 km në veri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti i Tiranës.

Nga ana administrative Dhërmiu bën pjesë në bashkinë e Himarës, rrethi i Vlorës. /