Rama: Gati të realizojmë 8 pikat. Po pastaj?

Rama: Gati të realizojmë 8 pikat. Po pastaj?

Kryeministri Edi Rama deklaroi se jemi gati t’i plotësojmë një për një kërkesat e studentëve, por duhet një dialog me studentët në sy të publikut për çdo pikë dhe për më shumë se 8 pikat.

“Të 8 pikat janë të realizueshme dhe ne jemi gati që ti realizojmë. E thash unë tani. Tani shikoni vazhdimin: plotëso pikat, ne nuk takohemi. Po si i bëhet, si duhet plotësimi i pikave, në çfarë forme?! Qeveria nuk është sot në konflikt me studentët, qeveria është sot e gjitha sy e veshë nga studentët”, deklaroi kryeministri.

“Ky është një moment i madh për ta bërë të vërtetë bashkëqeverisjen për të mos e mbyllur me 8 pika, por të ulen tarifat, patjetër. Të bëhet publikimi i të dhënave të shpenzimeve online, patjetër. Të bëhet karta e studentit, patjetër. Të rregullohen konviktet, patjetër. Të bëhet deri në fund ashtu siç e kërkon çdo pike, patjetër. Po pastaj? Pse kaloriferët, tarifat më të ulëta, biblioteka shkencore, kartat e studentëve do të zgjidhin problemin themelor që ka universiteti?”, u shpreh Rama.

Kreu i Ekzekutivit theksoi se “problemin themelor që ka universiteti as nuk e zgjidhin këto as nuk e zgjidhim dot ne vetë pasi ne i kemi njohur universitetit autonominë. As nuk e zgjidhin dot ata rektorë dhe dekanë që akoma nuk e  kanë nxjerrë fytyrën në televizor që të thonë çfarë ju ka takuar atyre të bëjnë dhe nuk e kanë bërë dhe njëkohësisht, të kërkojnë nga studentët duke qenë të vërtetë dhe të sinqertë me ta që të kuptojnë se ku qëndrojnë dhe ku gjendet zgjidhja e këtyre 8 pikave”.

“As ata nuk e bëjnë dot vetë, studentët jo e jo, ndërsa të gjithë bashkë patjetër dhe po dhe kjo është ajo që duhet të ndodhë dhe mbajeni mend se kjo është ajo që ka për të ndodhur”, deklaroi Rama. /Atsh