Ismaili: Më 2019 do t’i japim rëndësi fondit për sigurime shëndetësore

Ismaili: Më 2019 do t’i japim rëndësi fondit për sigurime shëndetësore

Shërbimi Spitalor dhe Klinika Universitare e Kosovës, në një konferencë për media, prezantuan rezultatet dhe të arriturave të punës për vitin që po lëmë pas, si dhe planin e punës për vitin 2019.

Drejtori  i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, tregoi sfidat dhe  të arriturat e SHSKUK-së gjatë këtij viti, si dhe planin e punës për 2019. Sipas Sejdiut, gjendja në sistemin shëndetësor ishte e rëndë, e cila ka kërkuar që të veprohet menjëherë. 

 “Me marrjen në menaxhim të SHSKUK-së mundë të themi se kemi gjetur një gjendje të rënduar në sistemin shëndetësor, ka qenë një fakt i cili ka kërkuar që të veprohet menjëherë dhe si alternativë ka qenë që të veprojmë  në disa drejtime, d.m.th. të identifikojmë prioritet, pastaj edhe në bazë të prioriteteve edhe të caktojmë planin e veprimit, të jetë plan afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë. Pikësëpari, kemi vendosur që pacienti të jetë në qendër dhe të gjitha aktivitetet të cilat janë zhvilluar kanë qenë në atë drejtim”, tha Sejdiu. 

Ai theksoi se ngritja 24 orësh e shërbimeve ka dhënë rezultate dhe ka kursyer buxhetin. Ndërsa për planin e veprimi për 2019, Sejdiu theksoi se do të jetë një vit ku do të vazhdohet në modernizimin dhe funksionalizimin e shërbimeve.

 “Plani i vitit 2019 është që të fokusohemi edhe nëpër spitalet regjionale, njëkohësisht pajisjet të cilat tani kanë qenë të orientuara drejt klinikave, dhe si shembull mundë të them blerja e pajisjeve për shumë klinika ka qenë jo një specifikim blanko, por ka qenë një specifikim i përpunuar mirë, me qëllim që të gjitha klinikat të cilat kanë munguar pajisjet, njëkohësisht kanë munguar edhe shërbimet”, tha Sejdiu.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se ky ka qenë një vit intensiv në sektorin e shëndetësisë. Ai theksoi se shpesh mungesa e aparaturave  ka sjellë deri në demoralizim të punëtorëve shëndetësorë.

 “Për kohë të gjatë ne kemi parë që në mungesë të një buxheti, në mungesë të një përkujdesje institucionale, kemi pasur një degradim të sistemin shëndetësor dhe si e tillë këtu ka pësuar edhe mjeku, infermieri dhe pacienti. Si e tillë, çka ka ndodhur është që ne kemi parë një demoralizim të punëtorëve shëndetësorë. Mungesë të pajisjeve, mungesë të aparaturave të ndryshme, të cilat e kanë limituar edhe potencialin e mjekëve tanë dhe nuk kemi arritur ta bëjmë maksimumin e asaj çka profesionistët shëndetësor kanë qenë në gjendje ta bëjnë”, tha Ismaili.

Ai përmendi edhe mundësinë e rritjes së pagave për punëtorët shëndetësorë dhe u premtoi atyre se do ta kenë mbështetjen e Qeverisë. 

 “Kemi filluar me investime shumë më të mëdha, kemi rritur buxhetin shumë, nga viti në vit, jemi ende, ta flas edhe atë punë se mund ndoshta të më pyesni më vonë pse nuk e fole, jemi ende po ashtu të impenjuar  që të shohim rritjen e pagave për punëtorët shëndetësor. Ashtu siç i kemi miratuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ashtu ta shohim edhe në të kaluarën edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe do të jem prapa saj, si Qeveri, që ajo të kalojë”, tha ministri Ismaili. 

Ai nuk harroi të përmendë edhe sigurimet shëndetësore, pasi 2019 do të jetë një vit ku do t’i jepet një rëndësi të madhe kësaj teme. 

Ismaili: Nuk është në rregull që Kosova të jetë i vetmi vend pa sigurime shëndetësore Video

“Viti 2019 do të jetë një vit ku do t’i japim një rëndësi të veçantë fondit për sigurime shëndetësore. E kemi edhe drejtorin këtu i cili do ta bëjë një punë, po besoj së bashku me neve, një punë kolosale që nuk e kemi pa asnjëherë më parë për jetësimin e sigurimeve shëndetësorë. Nuk është në rregull që Kosova të jetë i vetmi vend pa sigurime shëndetësore”, tha Ismaili. 

Ndërsa, shefi i Sektorit të Kontraktimit të Shërbimeve Shëndetësore, Dardan Partozi, duke prezantuar të arriturat për këtë vit, tha se menaxhmenti i SHSKUK-së është i fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës, modernizimin dhe furnizimin me barna.