Bahtiri: Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Finlandës do të vazhdojë

Bahtiri: Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Finlandës do të vazhdojë

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me nënkryetarin Faruk Mujka, sot kanë pritur në një takim pune ambasadoren e Finlandës në Prishtinë, Pia Stjernvall e shoqëruar nga një delegacion i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës, me ç’rast janë njoftuar me situatën e përgjithshme në Komunë.

Bahtiri pasi falënderoi për interesimin për Mitrovicën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Finlanda dhe populli i saj i kanë dhënë Kosovës dhe Mitrovicës, i tha Stjernvall se është i bindur se bashkëpunimi i mirë midis Mitrovicës dhe përfaqësuesve diplomatik të Finlandës në Kosovës do të vazhdoj edhe më tutje, madje duke u thelluar gjithnjë.

Ndërsa ambasadorja Pia Stjernvall i tha kryetarit Bahtiri se vazhdimisht ka qenë e interesuar për Mitrovicën, andaj edhe ka ardhur për të parë nga afër se si është gjendja, cilat janë vështirësitë me të cilat ballafaqoheni dhe çfarë është perspektiva për të ardhmen.

Kryetari Bahtiri, i tha Stjernvall se që nga ardhja e tij në krye të Mitrovicës, gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht në kuptimin pozitiv.

“Nga një qytet me plotë probleme politike, të sigurisë, zhvillimore, ndëretnike etj. Mitrovica sot është një ndër qytetet më të sigurta në Republikën e Kosovës. Këtë e dëshmojnë edhe faktet nuk ka më tela gjemborë në asnjë cep të komunës, nuk ka tensione dhe probleme ndëretnike, kanë rënë në mënyrë drastike të gjitha llojet e krimit. Kjo është arritur vetëm falë para së gjithash bashkëpunimit të mirë e të ngushtë të udhëheqjes komunale me qytetarë”, tha ai.

Kryetari Bahtiri i tha në vazhdim Stjernvall se ekziston një problem tjetër me të cilin ndihet shumë i zhgënjyer dhe i shqetësuar që ende nuk është bërë hapja e urës mbi lumin Ibër.

“Kjo gjë nuk duhej të ndodhte sepse është punuar shumë në këtë drejtim, për arsye se i kam besuar Bashkimit Evropian dhe z. Rakiqi, dhe në fund të procesit për hapje të urës ata ndryshuan qëndrimet e tyre dhe kjo është shumë brengosëse për mua me vetë faktin se urat janë ato të cilat lidhin qytetet dhe mundësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve e kjo mos të ndodh është jodemokratike dhe jonjerëzore. Andaj për këtë gjë unë kam marrë iniciativë që të bashkojë qytetin e Mitrovicës sepse nuk dëshiroj që dikush të manipuloj me qytetarët e pjesës së veriut që ta ketë trupin në Mitrovicë e kokën në Beograd. Unë do t’ju jap shërbime të gjithë qytetarëve pavarësisht nacionalitetit në tërë territorin e Mitrovicës sepse roli i im këtu është rritja e mirëqenies së qytetarëve të mi”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Kryetari Bahtiri në fund shprehi gatishmëri dhe bashkëpunim e tij të plotë për realizimin e shumë projekteve në të ardhmen ne të mirë të qytetarëve.