Shtëpia botuese “Kuteli”, fituese e çmimit “Lumo Skendo”

Shtëpia botuese “Kuteli”, fituese e çmimit “Lumo Skendo”

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë organizoi sot, ceremoninë e dhënies së Çmimit Kombëtar të Bibliofilisë “Lumo Skendo” për vitin 2017.

Këtë vit, dhënia e këtij çmimi përmbyll me sukses një varg veprimtarish kushtuar figurës dhe personalitete të kulturës Mid’hat Frashëri, apo “Lumo Skendo”, pseudonimi letrar me të cilin ai u identifikua kulturalisht gjatë gjithë krijimtarisë dhe veprimtarisë së tij letrare e botuese ashtu edhe patriotike, shkencore e diturore.

Biblioteka Kombëtare pati nderin të çelë veprimtaritë kushtuar veprës së tij duke risjellë në duar të studiuesve dhe lexuesve të sotëm revistën “Diturija” në një botim bibliofilik e anastatik.

Kontributit të Lumo Skendos si themelues të kësaj reviste “Monument kulture” i trashëgimisë sonë të përbashkët iu kushtuan dy konferenca shkencore të organizuara nga dy Bibliotekat Kombëtare të Shqipërisë dhe të Kosovës si dhe një bibliografi e hartuar posaçërisht për revistën “Diturija” nga specialistët e BKSH.

Ceremonia u zhvillua në sallën elegante e precioze të Bibliotekës Kombëtare që mban pikërisht emrin “Lumo Skendo”.

Me Çmimin Kombëtar t të Bibliofilisë “Lumo Skendo” për vitin 2017, u vlerësua Shtëpia botuese “Kuteli” me motivimin: për botim e hijshëm e nostalgjik, ilustruar grafikisht nga mjeshtri Gazmend Leka, të përmbledhjes me rrëfenja “Tregime të moçme shqiptare”, një prej veprave më mbresëlënëse e më të dashura të letërsisë shqipe të çdo moshe, trashëgim monumental nga pena e rrëfimtarit mjeshtëror Mitrush Kuteli.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, znj. Persida Asllani, i dorëzoi çmimin znj. Atalanta Pasko, themeluese e Shtëpisë botuese “Kuteli” dhe bijë e shkrimtarit Mitrush Kuteli. Znj. Pasko, pasi falënderoi për “vlerësimin e dhënë me akordimin e këtij çmimi kaq domethënës” u shpreh se “në këtë botim janë bashkuar disa vlera, ajo grafike dhe e ilustrimit me rrëfimtarinë dhe tregimet, por edhe përkushtimi dhe puna e palodhur e Elzana Agollit dhe shtypshkronjës “Mali Pleshti”, që solli këtë botim cilësor”.

Edicioni i vitit 2017 i përmbledhjes “Tregime të moçme shqiptare” nga shtëpia botuese “Kuteli” është një botim special që përkon edhe me 110-vjetorin e lindjes së shkrimtarit.

Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë “Lumo Skëndo” nga viti 2013 i është besuar Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. I akorduar për herë të parë në vitin 2006, është çmimi i vetëm që nxit dhe mbështet cilësinë estetike të botimeve shqiptare. Ky çmim i shërben vlerësimit dhe stimulimit të botimeve me vlera të spikatura bibliofilike dhe intelektuale, nëpërmjet evokimit të personalitetit të kulturës dhe të mendimit shqiptar Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri), veçanërisht si themelues i bibliofilisë shqiptare.

Mbas ceremonisë së Çmimit të Bibliofilisë  “Lumo Skendo” 2017 në Sallën Franceze të Leximit u zhvillua :

Forumi “Poetika shqipe – trashëgimia shqipe”, organizuar me rastin e botimit të librit TESTAMENTI, të  akademik Sabri Hamitit, botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në prani të autorit dhe me pjesëmarrjen e akademikes Floresha Dado dhe studiuesve të njohur Bashkim Kuçuku, Nysret Krasniqi, Dhurata Shehri, Kastriot Gjika etj.

Në fjalën e tyre ata nxorën në pah vlerat e çmuara jo vetëm të këtij botimi por edhe të veprës dhe kontributit të gjerë të profesor Sabri Hamitit, si një prej studiuesve më eminent të studimeve albanologjike, letrare e kulturologjike. 

Libri “Testamenti” vjen si një reflektim i vijueshëm me shkrime kritike për letërsinë shqipe, të shkruara gjatë këtyre viteve të fundit nga autori. Këto shkrime klasifikohen prej tij në tri pjesë: I. Lirika shqipe, II. Leksione dhe III. Testamenti, që me ide e procedime letrare lidhen domosdoshmërisht në një sistem me librat pararendës të tij si: Bioletra, Tematologjia, Albanizma, Utopia letrare. Me këtë libër të fundit ai përmbyll “pesëlibërshin” që synon titullin e përbashkët “Poetika shqipe” apo, siç e shpreson vetë autori “një filozofi të letërsisë”.