Bytyqi: Sistemi i arsimit në Kosovë vazhdon të ketë sfida

Bytyqi: Sistemi i arsimit në Kosovë vazhdon të ketë sfida

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se viti 2018 është përcjellë me sfida të ndryshme. “Sfida kryesore në 2018-ten, ka pasur disa probleme të mëdha të sistemit arsimor, të cilat janë të trashëguara, për të cilat është dashur që me urgjencë të marrim vendime të shpejta dhe gjëra konkrete për t’i realizuar”, tha Bytyqi në një intervistë për Radio Kosovën.

Intervistë e plotë me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi

Radio Kosova: Z. ministër, si mund ta cilësoni vitin 2018 për sa i përket sistemit arsimor, ishte një vit i kënaqshëm për arsimin, apo ka ende sfida?

Shyqiri Bytyqi: Sistemi i arsimit në Kosovë vazhdon të ketë sfida. Viti 2018 është përcjellë me sfida të ndryshme. Pa dyshim ne kemi marrë një angazhim shumë serioz në rrugëtimin e ndryshimit të gjërave që sot e pengojnë zhvillimin më të mirë të sistemit arsimor. Konsideroj që janë bërë disa hapa pozitivë gjatë vitit 2018, jo në aspektin që gjithçka kemi rregulluar dhe tani sistemi arsimor është në rregull, por hapat e parë që na çojnë drejt ndryshimit të nevojshëm që ka sistemi i arsimit në Kosovë. Në këtë drejtim, kemi pasur një plan pune që në fillim të 2018-tës dhe pavarësisht që jemi përballur edhe me sfidat e mungesës së buxhetit, sepse siç e dini, kemi një plan strategjik të miratuar nga qeveria 2017/2021, nga i cili derivon edhe plani vjetor, ku ka mungesë rreth 18 milionë euro për realizimin e këtij plani strategjik. Megjithatë, e kemi dizajnuar asisoj planin vjetor, që objektivat kyçe të realizohen. Sfida kryesore në 2018-ten, ka pasur disa probleme të mëdha të sistemit arsimor, të cilat janë të trashëguara, për të cilat është dashur që me urgjencë të marrim vendime të shpejta dhe gjëra konkrete për t’i realizuar. Një nga këto ka qenë Zyra Narik për nostrifikimin e diplomave, ku e kemi gjetur në një gjendje aspak të mirë, me lëndë të grumbulluara me mbi 2-3 mijë lëndë, të cilat kanë pritur me vite të tëra për të marrë një përgjigje. Ne i kemi marrë masat konkrete dhe tashmë e kemi një gjendje krejt ndryshe. Ajo që sot e karakterizon këtë departament, që tashmë me organogramin e ri është shndërruar në departament, pritja maksimale mund të jetë 60 ditë për një person për të marrë një përgjigje. Vetëm në vitin 2018, ky departament ka shqyrtuar 1 mijë e 313 lëndë, ndërsa janë në pritje edhe 240 lëndë. Pastaj, gjatë vitit 2018, ne kemi krijuar një standard ndryshe të komunikimit dhe bashkëpunimit. Falë edhe partnerëve ndërkombëtarë që kemi pasur një përkrahje të mirë, e sidomos me GIZ-in, i cili ka qenë një parter i vazhdueshëm dhe me 11 partnerë të tjerë, që janë bashkangjitur në kampanjën për një arsim më të mirë në Kosovë. Atë që vazhdimisht po e themi, është se arsimi duhet të jetë prioritet i qeverisë. Ne kemi pasur ide që të shkojmë përtej kësaj, që të mos jetë prioritet vetëm i qeverisë, por edhe i shoqërisë. Realisht e vetmja mënyrë që të dalim nga kjo gjendje që ka sot sistemi arsimor ose të fillojmë një rrugëtim të mbarë në sistemet e zhvilluara evropiane, duhet që të gjithë bashkë të jemi akterë të këtij rrugëtimi për të ndryshuar sistemin arsimor.

 

Radio Kosova: Gjatë këtij viti pati disa zhvillime në kuadër të ngritjes së cilësisë në arsim. Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës pati miratuar edhe një rezolutë për të vendosur arsimin si prioritet kombëtar. Pse nuk po zbatohet kjo rezolutë?

Shyqiri Bytyqi: Kjo është një rezolutë e cila ka dalë nga Parlamenti i Kosovës në fillimin e vitit 2017 dhe të cilën ne e kemi marrë shumë seriozisht si ministri kur e kemi marrë mandatin në fund të vitit 2017. Në masë të madhe ne si ministri, obligimet që kanë dalë, unë jam munduar që t’u përgjigjem dhe të jemi në koherencë me kërkesat që ka pasur Parlamenti i Kosovës. Konsideroj që edhe fushata e vazhdueshme dhe diskutimi i përbashkët, kanë pasur karakterin që të vendoset prioritet arsimi në Kosovë. Mendoj se edhe Qeveria dhe kryeministri Haradinaj tashmë e ka vënë arsimin në prioritet, me gjithë problemet që ekzistojnë edhe në dikasteret e tjera. Kjo rezulton edhe me faktin që kemi arritur të mbledhim mbi 120 mijë nënshkrime, që buxheti i Kosovës të jetë një ndarje më e drejtë për arsimin, ku kanë nënshkruar këtë peticion qytetarët dhe jo vetëm qytetarët, por edhe shumë qeveritarë, përfshirë këtu edhe vetë kryeministrin. Kjo ka rezultuar me një ngritje të buxhetit, jo aq sa është e nevojshme për të realizuar të gjitha objektivat që ka nevojë sistemi arsimor, por konsideroj që është bërë hap pozitiv. Ajo që do të veçoja, që mund të jetë pjesë e rezolutës, është se në vitin 2018 më së shumti është diskutuar për arsim, qoftë në parlament, media e shoqëri civile. Unë si ministër jam munduar që të ngreh një standard të ri të komunikimit me pjesën lokale. Nuk duhet të harrojmë se niveli lokal, kryetari i komunës, drejtoria e arsimit, kanë një rol shumë të rëndësishëm në arsimin para-universitar. Për cilësinë në arsim, ata duhet të jenë përgjegjësit kryesorë, sepse kanë menaxhimin e shkollave dhe formën e organizimit të mësimit, që derivon nga ligji i arsimit para-universitar.

Radio Kosova: Megjithatë, Qeveria vendosi që për vitin 2019, buxheti për arsim do të rritet për 12 për qind. A do të ndikojë ky buxhet që të ketë përmirësime në sistemin arsimor, ku do të fokusoheni?

Shyqiri Bytyqi: Rritja e buxhetit ndikon pozitivisht në orientimin më të lehtë që kemi për objektivat në sistemin arsimor. Janë bërë përpjekje të mëdha që të ketë një buxhet më të madh për arsimin në vitin 2019, ku është rreth 11 milionë euro më shumë se sa vitin e kaluar. Padyshim që kjo e lehtëson punën tonë, jo në nivelin çfarë e kishim dëshiruar. Vetëm për realizimin e objektivave që ka Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë (PSAK) duhen diku rreth 18 milionë euro, shto kësaj edhe vitet e tjera që kanë mbetur me mangësi të buxhetit për realizimin e këtyre objektivave. Por, gjithsesi është një hap pozitiv dhe aty ku do të orientohemi është ngritja e cilësisë në arsim. Normalisht që një pjesë e buxhetit është e ndarë edhe për investime kapitale, ku kemi të bëjmë me çështjen e shkollave, çerdheve, etj. Megjithatë, konsideroj që pjesën më të madhe të këtij buxheti duhet ta orientojmë në ngritjen e cilësisë në shkolla, ku tashmë i kemi të identifikuara katër shtyllat kyçe që ne do të merremi gjatë vitit 2019, të cilat do të ndikojnë direkt në ngritjen dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Radio Kosova: Gjithashtu, gjatë këtij viti u mbajt testi PISA, ku paraprakisht Ministria e Arsimit bëri përgatitje për të vetëdijesuar nxënësit dhe mësimdhënësit për rëndësinë e këtij testi. Çfarë rezultatesh prisni?

Shyqiri Bytyqi: Konsideroj që edhe kjo mund të quhet një e arritur për vitin 2018 e MASHT-it, sepse e kemi marrë me shumë seriozitet testin PISA. Ne kemi qenë të vetëdijshëm që nuk mund ta përmirësojmë gjendjen në arsim për një periudhë tre-katër mujore kur ne morëm udhëheqjen, por që duhet të organizohemi më shumë për testin PISA, ka qenë shumë e nevojshme. Ajo çka kemi bërë për katër muaj për testin PISA, kemi arritur që të komunikojmë shumë, të informojmë të gjithë akterët, përfshirë nivelin lokal, drejtoritë e arsimit, drejtoritë e shkollave, mësimdhënësit dhe nxënësit. Kemi bërë një diskutim të gjerë në të gjitha rajonet, kemi arritur të përgatisim një material, që është shpërndarë dorë më dorë secilit nxënës dhe është arritur që të ngritët vetëdija në atë nivel, që secili nxënës e ka ndjerë një krenari të hyjë në testin PISA, duke përfaqësuar shtetin e Kosovës. Unë pres rezultat më të mirë krahasuar me rezultatet e vitit 2015, ku nuk i është kushtuar ndonjë rëndësi e madhe.

Radio Kosova: Pati ndryshime edhe në organizimin e testit të maturës. Me ndryshimet e reja që u bënë, a pati rezultate që ju i prisnit?

Shyqiri Bytyqi: Angazhimi ynë për përmirësimin dhe ndryshimin ka vazhduar tutje edhe me obligimet e tjera, përfshirë testin e maturës. Nëse themi a është arritur rezultati që e kemi pritur, unë them se po, sepse ne nuk kemi pritur rezultat më të mirë në krahasim me vitin e kaluar. Objektivi ynë kryesor ka qenë që të gjejmë mënyrën e organizimit të testit të maturës, që të marrim rezultatet reale të gjendjes së shkollave tona. Pra, forma e organizimit e ndarë në katër rajone me katër lloje të ndryshme të testeve, ka dhënë rezultatin më real të cilin ne e kemi pritur. Ka pasur edhe defekte të vogla, por të cilat nuk kanë ndikuar në rezultatin material të testit. Po të jemi më të vëmendshëm në organizim, mund të kontrollohen edhe dobësitë që kanë ekzistuar, kopjimet në masë dhe na dalin rezultatet më reale. Pas mbylljes së procesit, ne kemi filluar një analizë më të gjerë, ku kanë dalë të meta të tjera brenda testit të maturës. Kemi vërejtje për cilësinë e pyetjeve dhe testin në përgjithësi, të cilat neve na mbetet përgjegjësi që deri në testin e ardhshëm të eliminojmë të gjitha dobësitë që ekzistojnë. Do të ketë një diskutim të gjerë të testit të maturës, ku mund të marrin pjesë shumë akterë për të gjetur formën më të mirë për organizimin e testit.

 

Radio Kosova: Kurrikula e re ka filluar së zbatuari në të gjitha shkollat e vendit. Me cilat sfida po ballafaqohen nxënësit dhe mësimdhënësit për zbatimin e saj?

Shyqiri Bytyqi: Pa dyshim që kurrikula e re në zbatim ka vështirësi dhe ka sfida. Kurrikula e re ka ndryshuar komplet qasjen në mësimdhënie dhe mësimnxënie, pra është diçka ndryshe nga e kaluara. Me kurrikulën e re pretendohet dhe është qëllim që të ndërrohet mësimdhënia nga mësimdhënia klasike, ku një hapësirë të madhe duhet të zë kreativiteti, në mënyrë që nxënësit tanë t’i bëjmë sa më kritikë në mendim, të kenë besueshmëri më të madhe në vetvete, të kenë një qasje të vendosur në zgjidhjen e problemeve. Pra, janë objektiva që i parasheh kurrikula për të ndryshuar gjendjen në arsim. Të gjitha këto teknika të reja kanë vështirësi për t’u zbatuar, kanë nevojë për trajnime dhe informacione shtesë. Konsideroj që një qasje dhe angazhim i përbashkët, ne do t’ia dalim. Ndërsa edhe për nxënësit është një metodë e re e mësimit dhe nuk është e lehtë që menjëherë të ballafaqohen me metodat e reja. Pastaj edhe librat e vjetër, që për nxënësit ka qenë problem të kërkohet një temë nga një libër në një libër tjetër, që të mos kenë qartësi, etj. Të gjitha këto kanë qenë vështirësi, por kemi nevojë ende për zhvillim të mëtutjeshëm të karrierës së mësimdhënësve. Presim që këtë vit të bëjmë edhe një analizë për vështirësitë që kanë dalë nëpër shkolla, presim nga DKA-të të na sjellin një raport, ku tashmë i kemi edhe koordinatorët e cilësisë nëpër shkolla dhe besoj se do të jemi shumë më objektivë për defektet në zbatimin e kurrikulës.

Radio Kosova: Keni deklaruar disa herë se një ndër prioritetet është edhe arsimi profesional. Çfarë është bërë në këtë drejtim?

Shyqiri Bytyqi: Në vitin 2018 kemi qenë shumë të interesuar për të parë se ku jemi me profile të organizuara nëpër shkollat profesionale dhe pastaj kemi pasur një analizë të thuktë, që kemi marrë nga partnerët tanë për tregun e punës. Mbi këtë bazë, tashmë jemi në një fazë finale të ndërtimit të 15 standardeve të reja profesionale, që janë më të kërkuarat në tregun e punës sot në Kosovë, që do të jenë të gatshme për vitin e ardhshëm. Mbi kërkesat e tregut të punës do të bëhen edhe profilizimet e shkollave profesionale në Kosovë. Kemi qenë të vetëdijshëm që shkollat profesionale kanë nevojë të ngritën në një nivel më të lartë se sa janë, veçanërisht kur flasim për praktikën, e cila ka munguar shumë. Në vitin 2019, do të jemi në një fazë të re. Kemi bërë disa marrëveshje me përfaqësues të bizneseve, që do të jenë të gatshëm për të na përkrahur për praktikë të nxënësve tanë në shkolla profesionale. Kemi ndarë për herë të parë një buxhet të veçantë, që është 1 milion euro për vitin e ardhshëm për praktikë. Në përkrahje të madhe të partnerëve ndërkombëtarë, kemi një projekt jashtëzakonisht të madh me Luksemburgun, ku presim që gjatë viti 2019 të krijojmë 10 shkolla model për shkollat profesionale, të cilat do të zhvillohen në atë nivel që do të jetë praktikë e mirë edhe për shkollat e tjera. Këto shkolla do të kenë një lidhshmëri edhe me biznesin dhe do të shihet se si do të zhvillohet mësimi dhe praktika. Na mbetet një sfidë dhe angazhim i përbashkët që të punojmë edhe me prindërit, në mënyrë që orientimi në karrierë të jetë më i drejtë, pra, të vetëdijesohen nxënësit, të informojmë prindërit, që në shkollat profesionale nuk do të orientohen nxënësit që janë të dobët, por edhe ata që kanë talent edhe ata që e shohin një të ardhme shumë më të afërt të punësimit të tyre. Ne pretendojmë që me këto 10 shkolla model dhe shkolla të tjera, në moshën 18-vjeçare nxënësit tanë do të jenë të gatshëm të jenë të aftë për tregun e punës.

Radio Kosova:  Migrimi fshat-qytet, ka ndikuar edhe në zvogëlimin e numrit të nxënësve në shumë shkolla të vendeve rurale. Disa prej tyre rrezikojnë të mbyllen për shkak se nuk plotësohet numri me nxënës dhe në disa shkolla ka edhe mungesë të kuadrit për mësimdhënie. Çfarë parashikon Ministria, në raste të tilla?

Shyqiri Bytyqi: Mendoj që udhëzimi administrativ që e rregullon çështjen e shkollave është shumë i qartë për komunat. Komunat e kanë për obligim ta zbatojnë atë. Pa dyshim që është shqetësues rënia e numrit të nxënësve nëpër shkolla në pjesët rurale për arsye të ndryshme, ku një ndër to është edhe migrimi në drejtim të qyteteve, por edhe më keq migrimi jashtë vendit si dhe rënia e lindjeve. Ajo çka duhet të jemi të qartë, është se edhe DKA-të nuk mund të mbyllin shkollën me një vendim sot dhe nesër të mbyllet shkolla, kjo nuk ka logjikë. Pra, duhet një plan paraprak, duhet të informohen prindërit për një periudhë të gjatë, pse duhet të mbyllet shkolla, pastaj të merren masa se si duhet të bëhet bartja e nxënësve, në cilat shkolla. Pra, nëse i marrim gjërat me përgjegjësi, me kohë informojmë të gjithë akterët dhe atëherë e kemi shumë lehtë të vijmë deri të vendimi, dhe jo siç ka ndodhur këtë vit në disa shkolla, që janë mbyllur pa paralajmërim dhe normalisht që ka reagime të prindërve. Mund të them, që pa dashur të merrem me të kaluarën, edhe ndërtimi i shkollave në të kaluarën nuk është bërë me një analizë të mirëfilltë se cili është trendi i nxënësve në atë rajon. Kemi shumë vende që po na mungojnë shkolla dhe kemi shumë vende që po i braktisim shkollat. Kemi bërë një analizë për mësimin tërëditor dhe na ka rezultuar që na mungon një numër i madh i shkollave, që është një kosto rreth 300 milionë eurosh për ndërtimin e tyre, e nga ana tjetër po braktisen shkollat dhe po mbyllen disa.

 

Radio Kosova: Sindikata e Arsimit ka kërkuar disa herë që të ndërmerren hapa lidhur me mësimdhënësit me probleme shëndetësore, të cilët nuk kanë mundësi të mbajnë mësim të rregullt. Çfarë është e paraparë të bëhet me këtë kategori, çfarë ndryshimesh mund të bëhen në ligj?

Shyqiri Bytyqi: Kjo ka qenë një dukuri shqetësuese, ku ne vazhdimisht jemi marrë në 2018-ën. Ka pasur deputetë të Nismës që e kanë ngritur këtë çështje në Kuvend. Kemi marrë informacione nga DKA-të se sa e kemi numrin e këtyre mësimdhënësve, që nuk janë të gatshëm të jenë në klasë. Na ka rezultuar një numër shumë i madh dhe janë rreth 200. Ne kemi komunikuar edhe me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku kemi diskutuar për të gjetur një model për të dalë nga kjo situatë. Ministria e Punës e ka hartuar tashmë një udhëzim administrativ për personat që kanë vështirësi në vendin e punës. Konsideroj që kjo do të jetë një zgjidhje edhe për mësimdhënësit. Përmes këtij udhëzimi do të gjejmë zgjidhjen që të gjithë mësimdhënësit që nuk janë të aftë të jenë në orën e mësimit për arsye të ndryshme shëndetësore, duhet të largohen nga procesi mësimor.

 

Radio Kosova: Sindikata gjithashtu vazhdon të paralajmërojë veprime sindikale nëse në Ligjin për pagat mësimdhënësit nuk radhiten në vendin e merituar?

Shyqiri Bytyqi: Ne si ministri dhe unë si ministër vazhdoj të bëjë punën në maksimum që të krijojmë kushte dhe të gjejmë zgjidhje sa më të mirë për mësimdhënësit. Në këtë formë kemi punuar edhe për Ligjin për pagat, kemi kundërshtuar së pari draft-ligjin, ku ka ardhur te ne për diskutim, kemi dërguar vërejtje me shkrim te Ministria e Administratës Publike dhe kemi kërkuar që qasja e koeficienteve të ndarë për mësimdhënësit nuk është ajo që e meritojnë mësimdhënësit. Asnjëherë nuk kemi diskutuar në nivelin e pagave, por në atë të koeficienteve. Por, megjithatë nuk jemi të kënaqur me pozicionin e koeficienteve që janë ndarë për mësimdhënësit. Ne kemi reaguar edhe në mbledhje të qeverisë, kur ka ardhur ligji për t’u miratuar, unë kam votuar edhe kundër këtij projektligji. Kemi qenë të gatshëm dhe vazhdojmë të jemi të gatshëm edhe me Sindikatën për të harmonizuar veprimet për të realizuar objektivat. Kemi pasur takim edhe me kryeministrin, i cili është zotuar se do të gjejmë formën se si mund të ndryshohet gjendja aktuale që ekziston në këtë projektligj. Unë kam kërkuar që të bëhet edhe një grup punues i Ministrisë së Arsimit, i Sindikatës dhe nga Zyra e kryeministrit, që të diskutojmë së bashku me grupet parlamentare që janë në komisione, për të gjetur një formë që të ndryshojmë gjendjen dhe deri në cilën masë mund të realizohen kërkesat.

 

Radio Kosova: Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë është kërkuar që përmirësimi i sistemit arsimor duhet të fillojnë me ndryshimin e organogramit në Ministrinë e Arsimit. Ndërkohë, disa drejtorë dhe udhëheqës të divizioneve të cilët nuk janë më në pozitat e tyre, kanë thënë se do të ndjekin rrugët ligjore, pasi siç thonë, pozitat e tyre kanë qenë me akt emërim?

Shyqiri Bytyqi: Kjo është një risi tjetër që ka ndodhur. Ne kemi filluar reformat brenda Ministrisë, duke pasur parasysh edhe nevojat për një reformë. Ishte një orientim edhe i partnerëve ndërkombëtarë, edhe i Qeverisë, që arsimi duhet të jetë prioritet dhe të dalim nga kjo gjendje. Nëse flasim se nuk jemi mirë me sistemin arsimor, gjendja duhet të ndryshojë duke parë se nga kush të fillohet të ndryshojë. Ka qenë shumë e arsyeshme që të fillojë pikërisht nga njerëzit që janë përgjegjës. Ne së bashku me partnerët ndërkombëtarë, me BE-në, kemi bërë një analizë të funksionimit të Ministrisë së Arsimit dhe nga raporti që ka dalë janë gjetur shumë probleme. Ne si ministri kemi qenë të obliguar të marrim masa, duke riorganizuar ministrinë. Ne kemi angazhuar shumë ekspertë, është krijuar organogrami i ri mbi bazën e funksionimit të një standardi të lartë dhe po ashtu edhe rregullorja e re e përshkrimit të vendeve të punës. Të gjithë këto hapa janë marrë në përputhje me ligjin, ku janë marrë aprovimet nga të gjitha ministritë përkatëse dhe pastaj ka shkuar në Qeveri për miratim. Ne kemi filluar pastaj pas aprovimit në Qeveri që të zbatojmë rregulloren. Me organogramin e ri dhe rregulloren e re, është një formë e re e organizimit, ku shumë departamente që kanë ekzistuar nuk ekzistojnë më dhe shumë divizione që kanë ekzistuar nuk ekzistojnë më dhe nuk mund të quhet se dikush është larguar nga pozicioni, por thjesht nuk ekzistojnë ato pozicione që kanë qenë në të kaluarën. Ne kemi bërë hapin e duhur. Ajo çka ne jemi duke vazhduar për reformën dhe për të cilën jemi garantues, Ministria e Arsimit edhe pse e para do të jetë një praktikë e mirë edhe për ministritë e tjera. Secili individ që e konsideron veten të larguar në mënyrë të padrejtë, ata e kanë të drejtën e tyre ligjore për të vazhduar ankesat e tyre. Por, gjithsecili duhet ta shohë me syrin e një reforme të domosdoshme brenda Ministrisë së Arsimit.

 

Radio Kosova: Është bërë e ditur se në mars të vitit që vjen pritet që Kosova të ri-anëtarësohet në Regjistrin Evropian për Sigurim të Cilësisë. Drejtori i Regjistrit ka thënë se për t’u bërë Kosova përsëri anëtare e EQAR-it, kushti kryesor është pavarësia dhe autonomia e Agjencisë së Akreditimi, si dhe rregullimi i legjislacioni?

Shyqiri Bytyqi: Kemi arritur që këtë vit të kemi një mburrje me formën se si ka funksionuar pas emërimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Kemi arritur të ndërtojmë një infrastrukturë ligjore shumë moderne që e garantojnë një pavarësi të plotë të Agjencisë së Akreditimit dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Për herë të parë, këshilli është miratuar në parlament me shumicën e votave. Unë si ministër kam qenë një garantues i pavarësisë së Agjencisë së Akreditimit, ku kam kërkuar nga Këshilli dhe Agjencia që të respektohen në mënyrë rigoroze procedurat dhe ligjet që i kemi në fuqi për të gjitha institucionet e arsimit të lartë. Gjatë këtij viti kjo gjë ka ndodhur, ku kemi pasur shumë tërheqje të akreditimeve të shumë programeve, qoftë të institucioneve publike dhe atyre private. Kemi vënë një kontakt shumë të mirë me EQAR dhe ENKA dhe kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Mendoj që me veprimet që kemi bërë dhe jemi duke i bërë, sepse kemi garantuar presidentin e EQAR-it, se këto nuk do t’i lëmë vetëm në udhëzime administrative, por do t’i shndërrojmë në Ligj dhe do ta rrisim pavarësinë e Agjencisë së Akreditimit. Lajmi i mirë është se e kemi finalizuar koncept-dokumentin për Ligjin e Agjencisë së Akreditimit që pritet pas përfundimit të diskutimit publik të shkojë të miratohet në Qeverinë e Kosovës. Mbetet që Agjencia vitin e ardhshëm të zhvillohet, ku planifikojmë të rritet stafi brenda saj. Tashmë ka përfunduar vetëvlerësimi, që ka qenë kusht nga ENKA që ta bëjë Agjencia, ku është bërë një raport i jashtëzakonshëm dhe është dorëzuar në ENKA. ENKA besoj shumë shpejt do ta shqyrtojë këtë raport dhe gjatë fillimit të vitit të ardhshëm të dërgojë ekspertët për vlerësimin e jashtëm që e bën. Këto dy raporte që do t’i dorëzohen edhe EQAR-it dhe jam shumë i sigurt dhe optimist që ne do të mbesim edhe në ENKA dhe do të bëhemi pjesë e EQAR-it.

Autor: Albana Karaj, Radio Kosova