VIDEO-Historia e grave të dhunuara duhet të tregohet e mësohet

VIDEO-Historia e grave të dhunuara duhet të tregohet e mësohet

Sot në Librarinë ‘Dukagjini’, do të promovohet libri “Unë e përdhunuara” e autores, Ramize Murtezi Shala. Libri flet për betejën jetësore të një nëne të përdhunuar gjatë luftës bashkë me dy vajzat e saj njëra 10 e tjetra 7 vjeçare, për ta sjellë drejtësinë në vend dhe betejën për ta thyer heshtjen.

Ramize Murtezi Shala, autore e librit, tha se ideja ka ardhur nga puna që e ka bërë ajo dhe nga rrëfimet që i ka dëgjuar me gra dhe burra të dhunuara. “Në këtë libër janë rrëfimet. Në libër është rasti konkret, është një nanë me dy vajza të mitura, njëra 10 vjeçare dhe tjetra shtatë vjeçare, të cilat dhunohen brutalisht. Njerëzit duhet të mësojnë më shumë për historinë e këtyre grave, tregojnë për jetën në të cilën ato kanë jetuar për këto 20 vite”, tha ajo sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Sipas saj në fillim kur ka filluar të shkruajë këtë libër nuk ka menduar se do të arrijë të shkruaj komplet librin. “Të them të drejtën në fillim nuk kam menduar se ky libër do të vlerësohet për tu botuar, kam filluar të shkruaj vetëm nga ajo që unë ndjeja, ndjeja si obligim për këto gra, shumë më shumë për rastin konkret, pastaj edhe normalisht për rastet e tjera. Kam filluar me shkru dhe njerëzit më kanë shtyrë dhe më kanë thënë që duhet me vazhdu, kam përfunduar krejt shkrimin, pastaj jam konsultuar me profesorët dhe ata më kanë shtyrë për të përfunduar punën”, tha ajo.  

Autorja e librit Ramize Murtezi Shala, bëri me dije se gjatë shkrimit të librit nuk e ka pasur lehtë. “Buqja (Vasfije Krasniqi Goodman), ka qenë ajo që e ka thyer akullin. Unë kam folur me Buqen dhe ajo më tregoi se gratë e tjera iu janë lajmëruar asaj. Ka raste të tjera që janë lajmëruar edhe në KRCT. Pas intervistës së Vasfijes, situata ka ndryshuar shumë, në rastet e familjeve të Kosovë që janë dhunuar”, deklaroi ajo.

Për lëvizjen e institucioneve në këtë drejtim, Murtezi Shala, tha se viktimat që janë të dhunuara duhet të lajmërohen edhe në institucionet e Kosovës që tani po bëjnë verifikimin e tyre.

Autorja e librit Ramize Murtezi Shala, bëri me dije se ky libër do të botohet në gjuhë të tjera. “Ky libër tregon se në për këtë liri kemi dhënë për Kosovën. Kemi vuajtur shumë, për të arritur këtu kemi dhënë shumë, duhet të japim më shumë, duhet të tregojmë gjeneratat e reja më shumë për atdhedashuri”, tha ajo.

Sot gjatë promovimit Znj. Ramize Murtezi Shala do t’i bashkohen në diskutim për librin:Vasfije Krasniqi Goodman (video lidhje),  Prof. Rrahman Paçarizi, Ambasadorja Vlora Çitaku, Psikiatrja Mimoza Shahini dhe  drejtoresha e KRCT-së Feride Rushiti!.

Të gjitha mjetet që do të grumbullohen nga shitja e librave do të shkojë për kategorinë e atyre grave që janë dhunuar. Promovimi bëhet sonte në orën 18:00.