Universiteti i Prishtinës ka mungesë të infrastrukturës

Universiteti i Prishtinës ka mungesë të infrastrukturës

Rektori i Universitetit të Prishtinës Marjan Dema, tha se UP është i vetmi universitet në të gjitha hapësirat shqipfolëse që është arritur të rangohet dhe të jetë në rangun e 723 në databazën e Scimago-s.

Intervista e plotë me rektorin Marjan Dema

Radio Kosova: Viti i ri akademik në Universitetin e Prishtinës ka tre muaj që ka filluar. Si është duke shkuar mbarëvajtja e procesit mësimor?

Marjan Dema: Çdo gjë ka filluar me kohë. Pas përgatitjeve që kemi bërë janë regjistruar studentët dhe me kohë ka filluar mësimi, ligjëratat, ushtrimet në nivelin bachelor dhe master. Jemi në procedurë që të fillojmë edhe me nivelin e doktoraturës. Çdo gjë është duke rrjedhur mirë. Këtë vit kemi edhe një risi, është zbatuar sistemi elektronik për vijueshmëri ku studentët dhe profesorët regjistrohen. Gjithashtu janë funksinonalizuar dhe hapur shumë qendra dhe zyre, ku njëra ndër to është  “ Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie”, ku pjesa dërmuese e profesorëve u janë nënshtruar trajnimeve për të përmirësuar mënyrën e ligjërimit, që të kalohet nga mënyra tradicionale në atë bashkëkohore. Dhe krejt kjo është bërë në mënyrë që të ngritët cilësia.

Radio Kosova:  Po sa i përket infrastrukturës dhe hapësirave në universitet, sa është punuar këtë vit rreth kësaj?

Marjan Dema:Opinioni i gjerë është njoftuar se Universiteti i Prishtinës ka mungesë të infrastrukturës për shkak të numrit të madh të studentëve. Në këtë vit kemi vazhduar me ndërtimin e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë. Gjithashtu janë bërë investime të shumta në renovimin  e hapësirave ekzistuese, në furnizim me laboratorë etj,. Kryesisht në përmirësimin e kushteve të studentëve, në mënyrë që studentët të kenë një ambient më të mirë, më të përshtatshëm për të marrë më shumë njohuri. Sepse jemi të interesuar që ta transformojmë universitetin, që të kalojmë nga një universitet që më shumë ka qenë i angazhuar në fushën teorike dhe ta orientojmë me shumë ka kërkesa e tregut dhe industria.  

Radio Kosova:  Sa i përket stafit akademik, çfarë mund të na thoni, pasi e dimë që vitet e kaluara në disa programe dhe njësi akademike ka pasur mungesë të stafit. Sa keni arritur të plotësoni mungesën e tyre?

Marjan Dema: Edhe stafi akademik dhe ai administrativ në Universitetin e Prishtinës nuk janë në sasi të nevojshme. Ka mungesë të stafit. Për herë të parë këtë vit, duke ju falënderuar disa ndryshimeve që janë bërë në rregulloren e personelit akademik, kemi arritur të kursejmë një milion euro. Prej atyre mjeteve kemi arritur të punësojmë 57 asistentë dhe profesorë asistentë dhe për herë të parë edhe 13 punëtorë të stafit jo akademik, po ashtu jemi në procedurë të punësojmë edhe 35 punëtorë të administratës. Ky do të jetë një hap i mirë për të zbutur mungesën e stafit. Vitin e ardhshëm planifikojmë  që të punësojmë edhe 50 punëtorë të stafit akademik dhe 50 jo akademik, me çka do të arrihet të zbusim raportin jo të favorshëm të stafit akademik dhe jo akademik.

Radio Kosova:  Kohëve të fundit janë publikuar disa raporte për stafin akademik, transparencën e punimeve të tyre sa i perfekt plagjiaturave. Janë dhënë emrat e tyre. Ndërkohë, çfarë ka bërë universiteti rreth kësaj, a ka bërë ndonjë hulumtim në lidhje me punimet e profesorëve?

Marjan Dema: Sa i përket plagjiaturave, kemi disa raste të cilat i kanë konstatuar shoqëria civile, por këto raste kanë të bëjnë para ardhjes tonë në universitet. Mirëpo, Këshilli Drejtues i UP-së është duke i trajtuar këto raste dhe shumë shpejt do të dalin me zgjidhje, me propozime, dhe në bazë të propozimeve të tyre do të vazhdojmë me procedurat e mëtutjeshme. Dhe dua të them publikisht që komisionet në Universitetin e Prishtinës janë shume profesionale dhe të pavarura. Ndërsa fusha tjetër, sa i përket publikimeve në revista shkencore kredibile, them me përgjegjësi të plotë se prej ardhjes se këtij menaxhmenti, më nuk kemi ndonjë rast që ndonjë personel akademik është avancuar me punime të publikuara në revista jo kredibile. Është liria akademike, profesorët mund të publikojnë kudo, por me ato nuk mund të avancohen, sepse kemi krijuar standarde, rregulloren përmes së cilës avancohen.

Radio Kosova:  Për herë të parë Universiteti i Prishtinës “ Hasan Prishtina” është renditur në vendin e 713-të në databazën e Scimago-s. Si e vlerësoni këtë renditje për universitetin?

Marjan Dema: Po, desha të lidhem me ketë. Unë kur e kam marrë detyrën, kam premtuar se do të ngjitemi për një mijë vende gjatë mandatit tim në bazën e të dhënave në Webometriks, mirëpo për dy vite jemi ngritë mbi një mijë e pesëqind vende. I kam tejkaluar parashikimet. Sa i përket  Scimago-s, as që e kam pasur të planifikuar, por rezultatet që i kemi arritur kanë bërë të mundur që të futemi në atë listë për herë të parë. Është një  ranglistë botërore që rangon universitete që i plotësojnë kushtet, dhe jo vetëm universitet por edhe institutet shkencore, akademitë e shkencave dhe kolegjet universitare. Jemi i vetmi universitet në të gjitha hapësirat shqipfolëse që kemi arritur të rangohemi dhe të jemi në rangun e 723 në databazën e Scimago-s. I falënderoj të gjithë që kanë kontribuar për të arritur këto rezultate!   

Radio Kosova: Universiteti i Prishtinës është universiteti me numrin më të madh të studentëve dhe  programe të ndryshme studimi. Si i shihni ju të arriturat e këtij universiteti?

Marjan Dema: Kemi bërë shumë arritje që nga marrja e kryesimit të Universitetit të Prishtinës. Kam përpiluar një plan strategjik nga ekspertët dhe i cili është bazuar në programin tim. Unë mandatin tim e kam ndarë në dy periudha: Periudha e parë, të cilën veç e kemi kaluar, ka qenë ndërtimi i një bazamenti të përberë nga tri struktura: Struktura e parë të stabilizohet Universiteti i Prishtinës, të cilin veç e kemi arritur, struktura e dytë – standardizimi, që të kemi standarde, të kemi norma standarde. Ne të gjithë e dimë çka është bërë që mos të kemi nevojë për të pasur të njohur rektorin për t’u regjistruar në fakultet, për të doktoruar apo për t’u punësuar. Dhe struktura e tretë ka qenë transformimi, ku kemi shumë qendra, zyre dhe softuerë, që vërtet të kemi një të diplomuar i cili do të jetë lider, inovativ, të ketë ide që njohuritë e tij t’i shfrytëzojë në jetë. Pra, jemi shumë të interesuar që të kalojmë nga ajo që studenti ka mësuar për notë, diplomë, dhe ka qenë i varur nga qeveria dhe familja për të gjetur punë, por të përgatisim studentë që të jenë të pavarur për të gjetur zgjidhje për të gjitha sfidat që do të ballafaqohen në jetë.

Radio Kosova: Është hapur Qendra e Parë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. Sa do t’u ndihmojë kjo studentëve në përgatitjen e tyre për tregun e punës?

Marjan Dema: Njëra ndër strukturat është transformimi. Pikërisht në këtë strukturë bëjnë pjesë qendrat e inovacionit. Këto qendra u ndihmojnë studentëve të bëjnë transformimin. Kjo qendër do të ketë efekte në fushën e inxhinierisë mekanike, elektrike dhe inxhinierisë së ndërtimit dhe arkitekturës. Por jo vetëm kaq, do të jetë edhe një bashkëpunim  me kompanitë e tjera. Do të sjellim kompani sa më shumë, në mënyrë që studentët tanë të përfundojnë punën praktike. Jemi shumë të interesuar që t’i përgatisim studentët për punë. Universiteti i Prishtinës më nuk është ai universitet që vetëm jep diploma, ku studentët mësojnë vetë teori, po studentët kanë mundësi shumë të mira që përmes qendrave të inovacionit, punës praktike, laboratorëve dhe shkëmbimeve me universitetet e tjera ndërkombëtare të përgatiten për tregun e punë.

 

Autor: Ardiana Hajzeri,Radio Kosova