Jerusalemi në kohën e Jezusit

Jerusalemi në kohën e Jezusit

Christian Van Adrichom me siguri që nuk e kishte vizituar ndonjëherë Jerusalemin kur bëri këtë hartë, në vitin 1584. Ai ishte një prift katolik që punonte në Këln, Gjermaninë e sotme, në kohën kur Toka e Shenjtë kishte shekuj që mbahej nën kontrollin e myslimanëve, gjë që mund ta ketë bërë të vështirë vizitën nga pelegrinët e krishterë.

Megjithatë, ai arriti të krijojë një hartë shumë të famshme që u dha mundësinë të krishterëve në Europë të përfytyronin udhëtimin në qytetin ku s’do të shkonin dot, si dhe të shihnin sesi ishte ai qytet në kohën e Jezusit.

Harta ka të paktën 270 vende që i referohen traditës së krishterë. Secilës i është vendosur nga një numër, që përkon me përshkrimin e vendosur në një broshurë shoqëruese. Adrikomi e krijoi hartën duke u bazuar mbi punën e hartografëve të tjerë, si dhe nga rrëfimet e Biblës, të studiuesve dhe pelegrinëve.

Harta jep pamjen e Jerusalemit që nga perëndimi, me lindjen në pjesën e sipërme. Rrjeti i rrugëve duket se është i bazuar në një version të thjeshtuar të qytetit, nga historiani Flavius Jozefus. Ndryshe nga ndërtesat me gur gëlqeror, që duhet të kenë mbizotëruar në Jerusalem në atë kohë, ato në hartën e Adrikomit ngjajnë më shumë me ndërtesat e Europës së shekullit të 16-të.

Detajet në hartën e Adrikomit japin mbërritjen e Krishtit në Jerusalem, mbi gomar; tregojnë vendin e Darkës së Fundit; gjyqin përpara Ponc Pilatit; kryqëzimin e tij te mali i Golgotës, që shfaqet në shumë skena, dhe përfundon me nënën e tij, Marian, që mban në krahë trupin e të birit (numri 255). (Fotoja, nga Biblioteka Kombëtare e Izraelit).

Nëpër hartë tregohen episode nga jeta e Jezusit. Ai mbërrin në Jerusalem mbi gomar, siç përshkruhet në Testamentin e Ri, i rrethuar nga dishepujt dhe nga një person që shtron degë në rrugën përpara tyre (numri 214). Darka e Fundit, ku Jezusi parashikoi tradhtinë nga Juda, është brenda mureve të qytetit (Numri 6), dhe gjyqi i Jezusit para Ponc Pilatit, guvernatorit romak që urdhëroi ekzekutimin e tij, është pak në të majtë të qendrës (Numri 115).

Që aty, Adrikomi tregon se si Jezusi ka mbajtur kryqin e drunjtë për te Mali i Golgotës (numri 235) ku u kryqëzuar, siç përshkruhet nga figurat e 14 ngjarjeve të ndryshme. Ai numër duket se ka mbetur edhe sot, pasi disa pelegrinë të krishterë që bëjnë rrugëtimin e Krishtit, luten në 14 Ndalesat e Kryqit.

Adrikomi i përshkruan ngjarjet nga ditët e fundit të jetës së Jezusit, sikur të ishin duke ndodhur të gjitha në të njëjtën kohë. Rrotull qytetit janë vendosur pushtuesit e ndryshëm që e kanë kapur qytetin gjatë historisë. Asirianët që e pushtuan në shekullin e tetë para erës sonë, duken me tendat e ngritura në krah të djathtë të hartës. Kaldeanët, të cilët e rrethuan në shekullin e gjashtë, janë në të majtë, fare pranë romakëve që erdhën në vitin 70 p.e.s.

 

Murgu françeskan, Fracisko Kuaresmius, botoi një hartë më realiste të Jerusalemit në vitin 1639. Ai bazohej kryesisht në udhëtimet që kishte bërë drejt Qytetit të Shenjtë. Perëndimin e ka vendosur në pjesën e sipërme dhe lindjen në pjesën e poshtme. (Foto nga Biblioteka Kombëtare e Izraelit).

Në kohën e Adrikomit, Jerusalemi ishte një qytet i parëndësishëm i Perandorisë Osmane, por domethënia fetare bënte që ta ngacmonte shumë imagjinatën europiane. Që pas shpikjes së shtypshkronjës, historitë, guidat e udhëtimeve dhe libra të tjerë që flisnin për Tokën e Shenjtë, janë përhapur me shumë popullaritet.

Por europianët nuk i blinin këto libra me qëllimin për të planifikuar ndonjë udhëtim. Gjeografi historik, Rehav Rubin, nga Universiteti Hebraik i Jerusalemit, shkruan në një artikull të vitit 1993, të botuar në revistën biblike-arkeologjike, “Rishikimi i Biblës”: “Pak europianë udhëtonin për në Jerusalem. Ata blinin harta dhe libra, gjë që tregon interesin e tyre në lidhje me ngjarjet dhe idetë e Qytetit të Shenjtë, por jo që të kishin lidhje me detajet fizike.”

Harta e Adrikomit bënte pikërisht këtë. Ajo është botuar disa herë në shekujt që pasuan, dhe është përkthyer në shumë gjuhë, gjë që dëshmon popullaritetin. Për rreth 300 vite, ideja që kishin të krishterët europianë për Jerusalemin ishte formuar kryesisht nga kjo hartë shumëngjyrëshe dhe me shumë imagjinatë.