Presidenti zyrtarizon krijimin e Ushtrisë së Kosovës

Presidenti zyrtarizon krijimin e Ushtrisë së Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka dekretuar tri ligjet që e ndryshojnë mandatin dhe misionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në mbështetje të nenit 80 (2) dhe nenit 84 (4 dhe 5) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti Thaçi ka dekretuar Ligjin nr. 06/L-123 për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Ligjin nr. 06/L-122 për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ligjin nr. 06/L-124 për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Si President i Republikës së Kosovës dhe Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës, ju uroj juve i nderuar komandant, gjithë ushtarët, oficerët, nënoficerët dhe popullin e Kosovës. I falënderoj mbështetësit ndërkombëtarë, SHBA-në dhe të gjitha shtetet e tjera aleate në këtë ditë të rëndësishme të zyrtarizimit të Ushtrisë së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Këto tri projektligje janë miratuar me shumicë votash nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 14 dhjetor 2018.

Autor: RTKlive