Dramë që të prekë thellë

Dramë që të prekë thellë

Pas suksesit të Festivalit të Dytë Ndërkombëtar Teatror në dhjetor të vitit 2018, i cili u organizua në Teatrin “Faruk Begolli” të Kolegjit AAB, garuan trupa teatrore nga Kosova, Italia, Bullgaria, Kroacia dhe Shqipëria (me dy drama). Ndërkaq, në vigjilje të vitit të ri 2019, më 26 dhjetor 2018, në orën 20:00, u inaugurua skena kamertale e Teatrit “Faruk Begolli”.

Me inaugurimin e kësaj salle u hap edhe një dritare, që frymëmarrjes teatrore t’i shtohet fuqia. Me këtë hap Kolegji AAB po bëhet jo vetëm qerthull i dijes, po edhe institucioni më i kompletuar teatror në Kosovë.

Trupa “Ad hok” e AAB-së në këtë sallë shfaqi dramën “Bretkosa” të autorit nga Bosnja e Hercegovina, Dubravko Mihanoviq, e adaptuar për shikuesit e Kosovës nga Sadet Beqiri. Tema e kësaj vepre, për kah ideja, ngjason me të gjitha dramat e letërsisë së vendeve që kanë përjetuar luftëra.

Karakteristikë kryesore e kësaj vepre, që me nder e radhit krahas veprave të proveniencës së letërsisë botërore “War and after war” (Lufta dhe pas lufta), njerëzorja është në plan të parë. Edhe pas mbarimit të luftërave plagomat që lënë luftërat në njeriun vështirë shërohen.

Drama “Bretkosa”, e ndërtuar dhe e adaptuar mbi këto koordinata stilistike, bëri që publiku shqiptar në këtë sallë kamertale të Kolegjit AAB ta përjetojë thellë fatin e personazheve ngaqë kjo temë sa ishte botërore ishte edhe plagomë e popullit shqiptar të Kosovës.

“Kuarteti” i aktorëve, i prirë nga Ilir Tafa, “berberi”, kryepersonazhi i kësaj drame, rolin e të cilit Ilir Tafa gjatë shfaqjes e ndërtoi me ritme dhe kundërritme, sa fizike aq edhe njësorë. Variacionet e interpretimit të tij shquheshin edhe me të folurit sa me turp, sa me plasje të herëpashershme që shënjonin baticat dhe zbaticat e oqeanit të dhembjes, buburittë në shpirtin e “Berberit” ish-luftëtar, të cilit i ishin vrarë shokët e togut e ai e mallkonte veten që ka shpëtuar. Plasjet e tij hove hov ngjasonin me erupsione “vullkanike” që nuk e linin të qetë shpirtin e tij.

Interpretimin “filigran” të Ilir Tafës denjësisht e përcollën Donat Qosja, Basri Shala dhe Valmir Krasniqi. Secili veç e veç dhe të gjithë së bashku, të mbikëqyrur nga regjisorja Burbuqe Berisha dhe asistenti i saj Ledri Vula, dëshmonin në mënyrën më njerëzore për pasojat që lufta dhe paslufta kishte lënë vragë të mëdha në personazhet që ata luanin.

Kjo shfaqje jo vetëm se e meriton, por e ka për obligim kulturor të nisë një pelegrinazh teatror nëpër çdo qytet të Kosovës, patën apo s’patën sallë teatri, ngaqë shfaqja e mrekullueshme është e “paketuar” ashtu që të komunikojë me sukses kudo që të shfaqet dhe nga akëcila “skenë” të ngrihet komunikon me sukses me shpirtin e molisur të atyre që plagomat e luftës ende lëngojnë në ta, e të atillë ka anekënd Kosovës.