Komunat me realizim të ulët të buxhetit për investimet kapitale

Komunat me realizim të ulët të buxhetit për investimet kapitale

Komuna e Prizrenit, Suharekës, Ferizajt, Lipjanit, Podujevës dhe Istogut, gjatë vitit 2017 janë ballafaquar me probleme sistematike që lidhen me menaxhimin e parasë publike, madje probleme kanë pasur edhe me realizimin e buxhetit për investime kapitale.

Kështu është bërë e ditur sot gjatë prezantimit të raportit “Menaxhimi i parasë publike në sytë e Auditorit të Përgjithshëm”, i cili është bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe OJQ-të partnere.

Në këtë raport është analizuar edhe implementimi i rekomandimeve të auditorit nga këto gjashtë komuna.

 

Me këtë rast, Diana Metushi Krasniqi nga KDI, ka thënë se është e nevojshme që të instalohen mekanizma të cilët sigurojnë zbatimin e rekomandimeve.

Ajo ka thënë se janë një numër i gjetjeve të cilat përsëriten nga viti në vit, e që sipas saj shpërfaqin problemet lidhur me planifikimin dhe shfrytëzimin e buxhetit, menaxhimin e subvencioneve, menaxhimin e llogarive të arkëtueshme, procedurat e prokurimit dhe faturimin apo pagesat për mallra dhe shërbime, dhe investime kapitale.

Komuna e Prizrenit gjatë vitit 2017 kishte realizuar 91 për qind të buxhetit, por në raport thuhet se ka realizim të ulët të investimeve kapitale.

Erolina Morina nga organizata ISDY, duke prezantuar të gjeturat e raportit për këtë komunë, ka thënë se kjo komunë ka probleme sistematike në menaxhimin e kontratave për investime kapitale, lidhjen e kontratave publike jashtë planit vjetor të prokurimit në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik dhe kosto shtesë, si dhe sfida buxhetore për komunën si rezultat i planifikimit jo të saktë të projekteve.

Edhe komuna e Podujevës ka pasur probleme rreth realizimit të investimeve kapitale, ku Shpend Sopa nga organizata Ekovision, ka thënë se është një realizim i ulët i këtyre investimeve.

Ai ka përmendur disa nga mangësitë sa i përket qeverisjes në komunën e Podujevës, ku ka theksuar se një nga ato është mos zbatimi i plotë i rekomandimeve nga viti paraprak, ndarja e prokurimeve dhe përdorimi i procedurave minimale, si dhe iniciativa modeste për mbledhjen e të hyrave.

 

Sa i përket problemeve sistematike të kësaj komune, në raport thuhet se është niveli i ulët i ekzekutimit të buxhetit, dobësia në kontrollet menaxheriale, niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve, etj.

Ndërsa, Bekim Krasniqi nga organizata YAHR ka prezantuar të gjeturat për komunën e Ferizajt, ku ka theksuar se edhe kjo komunë ka realizim të ulët të buxhetit sa i përket investimeve kapitale.

Ai bëri të ditur se Komuna e Ferizajt për vitin 2017 ka shpenzuar 95 për qind të buxhetit final, ndërkohë që disa nga problemet në kategorinë e buxhetit kanë të bëjnë me lëshimin e vendimeve për leje të ndërtimit pa përfunduar pagesa e plotë e taksave, mos kryerja e obligimeve nga shfrytëzuesit e pronës komunale dhe mos kryerja e obligimeve nga bizneset dhe punësimi i 40 mësimdhënësve pa konkurs.

Komuna e Lipjanit ka realizuar 91 për qind të buxhetit për vitin 2017, ndërsa në raport thuhet se edhe kjo komunë ka realizim të ulët të buxhetit për subvencione dhe investime kapitale.

 

Disa nga  problemet sistematike me të cilat përballet komuna e Lipjanit sipas raportit janë, niveli i ulët i verifikimit të pronave të regjistruara, parregullsitë në kalkulimin e të hyrave, parregullsitë në menaxhimin e tatimit në pronë, hyrja në obligime kontraktuale në mungesë të zotimit të fondeve, dobësi në menaxhimin e kontratave si dhe probleme me obligime te papaguara.

Realizim të ulët të investimeve kapitale për vitin 2017 ka edhe komuna e Istogut, ndërkohë që edhe në këtë komunë përsëriten problemet nga viti në vit, ku ndër më të shpeshtat janë, problemet me menaxhim të aseteve, procedurat e prokurimit dhe sigurimin e mekanizmave kontrollues të cilësisë dhe llogaridhënies.

Po ashtu, edhe komuna e Suharekës ka realizim të ulët të investimeve kapitale. Problemet sistematike në raport thuhet se janë parregullsitë në kalkulimin e të hyrave për tatimin në pronë dhe të hyrave tjera, menaxhimi jo i duhur i pasurisë, realizimi i ulët i buxhetit për investime kapitale dhe mangësitë në menaxhimin e detyrimeve ndaj furnitorëve.

 

Në këtë raport kanë dhënë edhe disa rekomandime për komunat, ku një ndër to është që kryetarët të komunave të zbatojnë ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, respektivisht të ndërmarrin masa disiplinore, deri te shkarkimi i zyrtarëve financiar për dështimet sistematike të konstatuara nga Auditori i Përgjithshëm.

Raporti “Menaxhimi i parasë publike në sytë e Auditorit të Përgjithshëm” është zhvilluar nga KDI, ISDY, YAHR, Syri i Vizionit dhe Ekovizioni përmes grantit nga aktiviteti i USAID-it për komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse.