Kosova me shkallë të papunësisë më të lartë se Maqedonia

Kosova me shkallë të papunësisë më të lartë se Maqedonia

Papunësia në Kosovë vazhdon të jetë shumë e lartë. Në krahasim me vendet e rajonit Kosova ka përqindjen më të madhe të të papunëve.

Kosova me 1.739.825 banorë, ka 30,7 për qind të popullsisë të papunë. Ndërsa, Maqedonia me 2 milionë e 75 mijë banorë,  ka 20 për qind të papunësuar.

Qytetarët e të dy vendeve fajësojnë institucionet për gjendjen e rëndë të papunësisë.

Avni Hajdari, qytetar nga Prishtina, e quan shqetësuese situatën e papunësisë. Madje, ai shprehet skeptik se një gjë e tillë do të përmirësohet gjatë vitit 2019.

“Në bazë të këtij zhvillimi ekonomik nuk besoj që do të ketë ndonjë rritje të madhe të vendeve të punës në vitin e ardhshëm. Shumica po tentojnë me ik jashtë duke mos pasur perspektivë të punësimit këtu në Kosovë”, tha Hajdari.

Edhe një tjetër qytetar fajtor e bën qeverisjen. Ramadan Krasniqi thotë se vende të punës kanë vetëm pushtetarët.

Derisa në Kosovë, thuhet se ka pasur rritje të shkallës së papunësisë, në Maqedoni gjatë tre mujorit të tretë të vitit të kaluar, ka pasur ulje të papunësisë. Mirëpo, edhe qytetarët e Maqedonisë fajësojnë institucionet e tyre.

Qytetari i Maqedonisë, Naip Rrahmani, e ka quajtur “katastrofale” gjendjen e papunësisë në Maqedoni. Njëjtë shprehet edhe qytetari tjetër nga Maqedonia , Ridvan Salihu.

Mirëpo, përfaqësues të institucioneve si në Kosovë po ashtu edhe në Maqedoni gjendjen nuk e shohin me sytë e njëjte si qytetarët.

Ministri kosovar i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka thënë për KosovaPress se janë duke hartuar një plan si t’i qasen papunësisë. Sipas tij kjo dukuri është e trashëguar ndër vite.

Ai po ashtu tha se po përpiqen që të punojnë me të rinjtë, që të përgatiten për tregun e punës.

Zëvendësdrejtori i Agjencisë së Statistikave të Maqedonisë, Zirap Ademi ka thënë se për dallim nga viti i kaluar ka pasur ulje të papunësisë prej 1,3 për qind.

Por, kjo nuk mund të dihet saktë sepse në Maqedoni nuk ka pasur regjistrim të popullsisë që nga viti 2002. Nga regjistrimet që janë bërë aso kohe, numri është 2 milionë e 75 mijë banorë.

Ademi thotë se një numër i madh i të rinjve vazhdojnë të kërkojnë punë.

Edhe zëvendëskryeministri  për çështje ekonomike në Maqedoni, Koço Angjushev për KosovaPress është shprehur se niveli i papunësisë gjatë vitit 2018 ka shënuar ulje.

Tutje ai ka thënë se duhet një bashkëpunim mes Odave ekonomike, Qeverisë dhe të papunëve.