Venecia, 10 euro për të hyrë në qytet, taksa përçan opinionin publik

Venecia, 10 euro për të hyrë në qytet, taksa përçan opinionin publik

Turistët do të paguajnë një taksë prej 10 eurosh për të hyrë në qytetin e Venecias. Tarifa e re ka përçarë opinion publik. Disa mendojnë se dëmtohet turizmi, ndërsa të tjerë e shohin vendimin si të drejtë.

Opinioni publik në Venecia është i ndarë, të paktën sa i përket vendimit për tarifën hyrëse për vizitorët një ditorë. Disa besojnë se kjo lëvizje do të ndihmojë turizmin lokal, ndërsa të tjerë e konsiderojnë pengesë për zhvillimin e turizmit.

Sipas vendimit, kostoja për të vizituar Venecian do të jetë 10 euro dhe është vendosur për të ndihmuar në përballimin e kostos për pritjen e miliona turistëve çdo vit.

Akoma nuk është e qartë se si do të aplikohet kjo tarifë. Megjithatë, banorët e përhershëm, miqtë dhe familjarët e tyre, apo persona të tjerë që mbërrijnë në qytet për punë ose studime, do të përjashtohen nga taksa.

“Kostoja e mirëmbajtjes nuk mund të jetë një barrë vetëm për banorët lokalë. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje të drejtë dhe të bëjmë të mundur që të gjithë të paguajnë për kostot”, sqaron Mara Manente, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Studimeve.

Ata që kundërshtojnë taksën, shprehen se shuma 10 euro do të jetë pak e vështirë të pranohet nga turistët e shumtë dhe kërkojnë nga autoritetet lokale që të fokusohen tek përmirësimi i shërbimit publik./a2news/