Filarmonia synon që nga shtatori t’i bëjë koncertet me pagesë

Filarmonia synon që nga shtatori t’i bëjë koncertet me pagesë

Katërqind veta do t’i sigurojnë ulëset në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, me biletë falas, për ta dëgjuar koncertin me të cilin Filarmonia e Kosovës e nis vitin 2019.

Me këtë, ky institucion për të dytën herë do ta testojë sistemin e biletarisë. Deri në shtator paralajmërohet që biletat e koncerteve të Filarmonisë së Kosovës të bëhen me pagesë.

Për të parën herë sistemin e biletarisë ky institucion e kishte testuar në vitin 2012, për ta ndërprerë për shkak të mosfunksionimit. Asokohe çmimi i biletës kushtonte pesë euro.

Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, ka thënë se për koncertin e së dielës mbrëma – në bashkëpunim me “Tingujt e flautit” që me këtë koncert hap edicionin e nëntë – biletat janë falas. Sipas njoftimit të bërë publik edhe në rrjete sociale, biletat mund të tërhiqen në objektin e Filarmonisë së Kosovës dhe posedimi i tyre është i obligueshëm për hyrje në koncert. Një person mund të tërheqë vetëm dy bileta.

“Këto bileta janë për shkak të menaxhimit të publikut. Që publiku që do të vijë ta ketë karrigen e siguruar. Ne i kemi shtypur fiks 400 bileta, edhe pse 70 karrige po i huazojmë. Ato vendosen në çdo cep të Sallës së Kuqe”, ka thënë Jashari. Në koncertin e Vitit të Ri, në fund të dhjetorit, audienca hyri me bileta pa pagesë. Për herë të parë u dhanë dy koncerte brenda ditës. Mbi 800 veta e dëgjuan atë koncert.


MË SHUME NGA Kulturë