Aldridge “ndriçon” San Antonion, Denver nuk ndalet!

Aldridge “ndriçon” San Antonion, Denver nuk ndalet!

Rivalitet, spektakël dhe emocione pafund në një sfidë që dukej sikur nuk do të përfundonte kurrë. San Antonio Spurs mori një fitore të madhe ndaj Oklahoma City Thunder në mbrëmjen e NBA, në një ndeshje ku u shënuan plot 301 pikë dhe u nevojitën dy kohë shtesë për të përcaktuar skuadrën fituese.

Në fund festa ishte e gjitha për skuadrën teksane që triumfoi me shifrat 154-147 falë edhe edhe kuotës më të lartë të pikëve të realizuara deri tani në karrierë nga ylli i Spurs LaMarcus Aldrige i cili koleksionoi plot 56 pikë ndërsa e ndihmoi San Antonion edhe me 6 asiste e 9 rikuperime. Kjo ishte fitorja e 6-të në 7 ndeshjet e fundit për skuadrën e Gregg Popovich ndërkohë që Oklahoma pësoi humbjen e 3-të rresht. 30 pikët e Paul Goerge por triple-double i rradhës nga Rusell Westbrook që regjistroi 24 pikë 24 asiste dhe 13 rebound nuk i mjaftuan Oklahomës për të evituar disfatën.

Nuk e lëshon për asnjë arsye kryesimin në konferencën e Perëndimit Denver Nuggets. Skuadra nga Colorado vazhdon momentin pozitiv teksa regjistroi një fitore të lehtë me shifrat e thella 121-100 ndaj Los Angeles Clippers.  Kandezi Murray me 23 pikë dhe serbi Jokic me 18 pikë 10 asiste e 14 rebound ishin dy basketbollistët më të mirë mbi parket për Denver. Zhgënjen Boston Celtics që pas 4 fitoresh rresht mposhtet në Florida nga Miami Heat me rezultatin 115-99. As paraqitja e mirë e Kyrie Irving nuk e ndihmoi skuadrën më të titulluar të NBA të shmangte humbjen ndërkohë që te vendasi spikati veterani Dywane Wade autori i 19 pikëve. Falë një pjese të parë të shkëlqyer dhe të 18 pikëve të realizuara nga basketbollisti nga Ishujt Bahamas Hield, u rikthye te fitorja Sacramento Kings që mposhti 112-102 Detroit Pistons duke thelluar krizën e skuadrës nga Michigani e cila pësoi humbjen e 4-t rresht.

NBA – Rezultatet e sotme

Miami – Boston 115-99

Denver – Clippers 121-100

San Antonio – Oklahoma 154-147

Sacramento – Detroit 112-102