Kreu i Federatës angleze në Tiranë në mbështetje të Dukës

Kreu i Federatës angleze në Tiranë në mbështetje të Dukës

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, vijon fushatën për t`u zgjedhur si Anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Kongresi i 43-të i UEFA-s do të mbahet në Romë në 7 shkurt 2019 dhe Duka shpreson që në tentativën e dytë t`ia dalë mbanë.

Në fund të dhjetorit në Shqipëri erdhi Theodore Theodoridis, sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, ndërsa sot e ka pasur radhën numri i Federatës Angleze të Futbollit, Greg Clarke.

61-vjeçari, i cili prej vitit 2016 është zgjedhur si kreu i Federatës Angleze, ka vizituar selinë e re të FSHF-së, që po ndërtohet tek ish-kompleksi Dinamo.

Më pas, ai ka vizituar stadiumin kombëtar, që po ndërtohet mbi "Qemal Stafën" legjendar.

Clarke foli shkurt për mediat gjatë vizitës në stadiumin e ri kombëtar, duke theksuar se ka ardhur për t'i dhënë mbështetje Dukës në misionin e tij.

Ndërkaq, presidenti i FSHF-së e ka konsideruar edhe si një vizitë për shkëmbim idesh e eksperience: "Është një vizitë që na ndihmon, shkëmbim eksperience. Kemi shumë për të mësuar nga Federata angleze. Jam i kënaqur që ajo na jep mbështetje, edhe për zgjedhjet e ardhshme në UEFA. Shkëmbimi i eksperiencës, duke parë edhe një realitet ndryshe nga Anglia, është një eksperiencë për presidentin e federatës angleze".