Ngadalësohet ekonomia e Britanisë së Madhe

Ngadalësohet ekonomia e Britanisë së Madhe

Ekonomia e Britanisë u rrit me normën më të ngadaltë në gjysmë viti në periudhën tremujore që përfundoi në Nëntor. Kjo erdhi ndërkohë që fabrikat pësuan rënie të mëdha prej kushteve të ashpra të tregtisë globale dhe afrimit të Brexit.

Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 0.3% gjatë tremujorit, në rënie nga norma prej 0.4% që u regjistrua në periudhën paraardhëse. Fabrikat pësuan periudhën më të gjatë të rënieve mujore në prodhim që prej krizës financiare, për shkak të kërkesës së dobët jashtë vendit.

Vetëm për muajin nëntor, prodhimi industrial ra me 1.5%, që është rënia më e madhe që prej gushtit 2013, sipas zyrës së Statistikave në Londër. Shqetësimet për ekonominë botërore janë shtuar prej luftës tregtare mes SHBA dhe Kinës.

Të dhënat industriale në Gjermani dhe Francë treguan gjithashtu një përmbysje të prodhimit. Sipas analistëve, mund të ketë një faktor të ngjashëm që po godet sektorin në të gjithë Europën, si industria e makinave.

Prodhuesit e makinave në Europë janë përballur me rënie të kërkesës për motorët me naftë, për shkak të rregullave të ndotjes. Britania pritet të dalë më 29 mars 2019, dhe nuk është ende e qartë nëse bizneset do të vazhdojnë tregtinë me Europën pa ndërprerje në kufi.