UEFA pezullon nënkampionin e botës për fyerjet ndaj Sergio Ramos

UEFA pezullon nënkampionin e botës për fyerjet ndaj Sergio Ramos

UEFA e ka pezulluar me një ndeshje mbrojtësin kroat, Dejan Lovren, për komentet ofenduese të bëra nëpërmjet rrjeteve sociale në drejtim të kombëtares spanjolle dhe kapitenit Sergio Ramos, pas fitores 3-2 në Ligën e Kombeve:

"Spanjollët janë një tufë femrash". Më pas, objektivi i tij kaloi te Ramos: "I dhashë një bërryl të mirë, tani le të flasë". 

E gjitha kjo, e shoqëruar me disa gjeste dhe një flamur spanjoll në sfond. Një provokim që bëri xhiron e rrjeteve sociale. Natyrisht, mori përgjigje nga Ramos, për të cilin, futbollisti kroat, pas finales së Champions-it në Kiev (dëmtimi i Salah), pati lëshuar një “thumb” të hidhur: "Ramos gabon më shumë se sa unë, por luan te Real Madridi..." 

 

 

Për këtë arsye, qeveria europiane e futbollit e ka pezulluar kroatin me një ndeshje, ndëshkim që do të kryhet me kombëtaren e tij, jo me klubin. Pra, nuk kushtëzohet për raundin e dytë të Champions-it, kur Liverpool do të matet me Bayern Munich. Edhe bavarezët e kanë marrë një ndëshkim nga UEFA, teksa Thomas Mueller është pezulluar dy ndeshje nga Liga e Kampionëve, pas kartonit të kuq për një hyrje të panevojshme ndaj mbrojtësit argjentinas të Ajax, Nicolás Tagliafico.

Përveç kësaj, UEFA ka dhënë njoftimin e mbylljes së mundshme për një ndeshje të “Georgios Karaiskakis”, stadiumit të Olympiacos, për sjelljen e gabuar të tifozëve vendës në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të “Europa League”, kundër Milanit. Por, ekziston mundësia që ky lloj ndëshkimi të konvertohet në gjobë, diçka e ngjashme më parë edhe me PSG-në (35.000 euro gjobë për incidentet në ndeshjen me Crvena Zvezda).