Juniku i pakënaqur me Komisionitn e Task Forcës ‘Ta pastrojmë Kosovën’

Juniku i pakënaqur me Komisionitn e Task Forcës ‘Ta pastrojmë Kosovën’

Komuna e Junikut e pakënaqur me vlerësimin e Komisionit të Task Forcës ‘Ta pastrojmë Kosovën’.

Pas përfundimit të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, dhjetë komuna të Kosovës që janë treguar më efikase për eliminimin e mbeturinave kanë fituar grant nga

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vlerë prej 1.2 milionë eurosh, grant ky që do të përdoret në projekte për mbrojtjen e ambientit.

Por Komuna e Junikut nuk është pajtuar me vlerësimin e Komisionit të Task Forcës “Ta Pastrojmë Kosovën”, pasi kjo komunë përkundër angazhimit që ka pasur në këtë aksion nuk është renditur në mesin e komunave të para.

Komuna e Junikut përmes një reagimi për media, ka theksuar se Komisioni i Task  Forcës “Ta Pastrojmë Kosovën” ka shkelur të gjitha standardet ligjore, profesionale e qytetare, duke u treguar tejet i njëanshëm e subjektiv në vlerësim.

Sipas kësaj komune, ky komision ka përzgjedhur të parat ato komuna me të cilat kishin miqësi e afërsi personale, lidhje klanore e rajonale.

Reagimi i plotë i Komunës së Junikut:

Reagim lidhur me aksionin “Ta Pastrojmë Kosovën”

Të bindur se puna, angazhimi, rezultatet dhe standardi në shërbim duhet të shpërblehen, gjithmonë duke respektuar rregullat ligjore e profesionale, kjo nuk ndodhi me Komisionin e Taskë Forcës “Ta pastrojmë Kosovën”.

Përkundër pjesëmarrjes masovike të qytetarëve, bizneseve, OJQ-ve, nxënësve, personelit shëndetësor, policisë, institucioneve publike, në aksionin “Ta Pastrojmë Kosovën”, Komuna e Junikut nuk u rendit në mesin e Komunave të para, si rrjedhojë e Komisionit të Task  Forcës, “Ta Pastrojmë Kosovën” i cili i ka shkelur të gjitha standardet ligjore, profesionale e qytetare, duke u treguar tejet i njëanshëm e subjektiv, aspak serioz e i përgjegjshëm, përzgjodhi të parat ato Komuna me të cilat kishin miqësi e  afërsi personale, lidhje klanore e rajonale.

Komuna e Junikut gjatë kësaj periudhe është treguar tejet aktive dhe  efikase në aksionin “Ta Pastrojmë Kosovën”, për këtë i kemi raportet e provat të cilat dëshmojnë akvititetet e pandërprera të Komunës së Junikut për 3 muaj rresht, fakte këto të cilat nga Komisioni nuk u vlerësuan objektivisht në bazë të kritereve të përcaktuara, duke shkelur parimet themelore të një vlerësimi të drejtë, jodiskriminues dhe të paanshëm. Në këtë aksion kanë marrë pjesë mbi 30% e popullsisë aktive të Komunës së Junikut, kontributi i të cilëve pandershmërisht u mohua dhe nuk u vlerësua drejtë.

Megjithatë ne nuk do të ndalemi, Juniku do të vazhdojë të jetë një qytezë e bukur, e pastër, sepse të tillë e fali natyra dhe është në traditën shekullore të Junikut që ta mbajmë dhe ta ruajmë dhe kultivojmë me krenari, kurse bashkëpunimi me Komisionin në fjalë është lëkundur si pasojë e papërgjegjësisë së tyre ligjore e morale, jokorrektësisë dhe joprofesionalizmit të tyre të treguar në këtë proces.

Autor: RTKlive