Pezullohet përkohësisht bojkoti i përgjithshëm i avokatëve

Pezullohet përkohësisht bojkoti i përgjithshëm i avokatëve

Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur të premten, në mënyrë unanime ka marrë vendim që të pezullohet përkohësisht vendimi për bojkotimin e seancave gjyqësore.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nëpërmjet një njoftimi nga OAK. Ky vendim është marrë, siç thuhet në njoftim, pasi që KGJK ka shfuqizuar rekomandimin e 28 dhjetorit 2018 dhe urdhëresave të tjera në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Në njoftim thuhet se ky pezullim do të zgjasë për periudhën kohore prej 30 ditësh brenda të cilës periudhë kohore OAK dhe KGJK do të arrijnë marrëveshje lidhur me kërkesat që do të dakordohen bashkërisht.

“Pikërisht për këtë çështje, gjatë ditës u zhvillua një takim ku morën pjesë: kryetari i OAK-së, Osman Havolli, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizin, Kryetari i Gjykatës së Apelit, Enver Peci dhe Kryetarja e Gjykatës Themelore Afrëdita Bytyqi. Në këtë takim, KGJK dhe Ministria e Drejtësisë janë zotuar dhe kanë premtuar, se me rastin e përpilimit / drafitmit të rregullave të reja për qasjen në gjykata, avokatët do të përfshihen 100% dhe do të kenë rol kyç në këtë drejtim. Ministri i Drejtësisë, ka kërkuar që OAK t’i përpilojë një listë me problematikat e Avokatëve me Institucionet e drejtësisë duke u zotuar se personalisht do të merret me adresimin çështjeve të ngritura nga OAK, për zgjidhjen e tyre”, thuhet në njoftim.

OAK ka thënë se ka kërkesa ndaj KGJK-së e të cilat sipas kësaj ode, duhet të plotësohen.

“Këshilli Drejtues i OAK-së, në raport me KGJK-në ka këto kërkesa si në vijim: rritja e pagesave në angazhimet sipas detyrës zyrtare, ndalimi i komunikimeve inter-partes, krijimi i kushteve për avokatë dhe palë në të gjitha gjykatat, rrijta e transparencës së punës së gjykatave në komunikim, publikimin në monitore të gjykatave, lejimi i çasjes në restoran dhe byfe, pajisja e zyrëve për avokat dhe koridorëve me inventar, ndryshimi i ligjeve respektive për përfaqësuesin e OAK në KGJK, KPK dhe Komisionin për Provimin e Jurisprudencës dhe anagzhimin maksimal në ndryshimin e Ligjit për Procedurën Kontestimore”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, si pasojë e këtij bojkoti të avokatëve, gjatë së mërkurës, enjtes dhe së premtes, kanë dështuar qindra seanca në të gjitha gjykatat e Kosovës.

 

Autor: RTKlive