Limaj: Shpresoj që ekipit do t’i bashkohen partitë tjera opozitare

Limaj: Shpresoj që ekipit do t’i bashkohen partitë tjera opozitare

Fatmir Limaj që po udhëheqë delegacionin shtetëror në bisedimet me Serbinë, thotë se çështjet nacionale nuk duhet të jenë të rezervuara për një person apo grup të caktuar, por për të tilla tema duhet të jenë të gjithë bashkë.

Sipas tij, ka mbetur një praktikë e keqe prej vitit 2011 me jotransparencë dhe mosbesim, gjë që duhet kohë për t’u shëruar ky mosbesim.

Një arsye tjetër sipas Limajt, që po shkakton vështirësi të bëhen të gjithë bashkë në Kosovë për dialogun me Serbinë, janë edhe kalkulimet politike.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, që është njëri nga udhëheqësit e ekipit negociator thotë se kanë shumë tema të aspektit ekonomik, të cilat mendon se duhet të trajtohen dhe përmbyllen njëherë e mirë.

Në një intervistë për KosovaPress, Limaj thotë se shpreson që ekipit do t’i bashkohen edhe partitë tjera opozitare, por që edhe pa ta do të vazhdojnë.

I pyetur për mundësinë e gjetjes së një konsensusi me partitë tjera opozitare, Limaj numëron disa çështje që sipas tij po e vështirësojnë një bashkëpunim të tillë.

Sipas Limajt, një situatë e tillë e rëndë është krijuar edhe për shkak të kalkulimeve politike.

“E dyta është kalkulimet politike, ka shumë kalkulime politike që nganjëherë të kthejnë në pengesë për të parë nevojën që vendi ka për ju, dhe nganjëherë bëhet vështirë me bë një distancë mes interesit momental politik ose partiak, për të parë interesin shtetëror. Të gjitha këto bashkë kanë krijuar këtë situatë të rëndë”, thotë ai.

Derisa pyetet për mundësinë e bisedimeve rreth temës së Luginës, Limaj thotë se në Bruksel do të shkojnë për të konsoliduar shtetësinë e Kosovës, ashtu siç e parasheh Kushtetuta.

E për bashkëpunimin e delegacionit shtetëror me Presidentin e vendit, Limaj thotë se do të jetë ashtu siç e parasheh Kushtetuta duke shtuar se koordinimi i aktiviteteve të delegacionit shtetëror do të punojë në atë mënyrë që të respektojë kompetencat e secilit veç e veç.

Limaj thekson që ekziston një situatë jo normale Kosovë-Serbi, dhe që po bëjnë përpjekje për normalitet, ndërsa ky normalitet mund të arrihet vetëm me njohje reciproke.