Kaq pjesëtarë të UÇK-së janë ftuar në Hagë

Kaq pjesëtarë të UÇK-së janë ftuar në Hagë

Kryetari i OVL- UÇK, Hysni Gucati ka treguar se sipas listës që posedon, 11 pjesëtarë të UÇK-së, janë thirrur nga Gjykata Speciale.

“Nuk dua të spekuloj por, për momentin janë ftuar diku 11 vetë, i dimë emrat dhe mbiemrat por kolegët nuk i kanë bërë publike, por ne i dimë”, tha Gucati.

Gucati gjithashtu e quajti Gjykatën Speciale të panevojshme dhe raciste.

“Kjo është e papranueshme, kjo gjykatë ka qenë e panevojshme dhe e njëanshme edhe raciste. Kur them raciste për arsye se është e njëanshme nuk përfshin të gjitha krimet e luftës që kanë kryer paramilitarët serb”, tha ai.

Sipas tij, deklaratat për krimet në Kosovë dhe kohën e luftës, janë dhënë në gjykata kompetente ato vendore dhe të EULEX-it.

“Për hir të shtetit dhe Qytetarëve të Kosovës, kësaj gjykatë nuk kemi dashur t`i përgjigjemi fare hiq. Ne e kemi tregu punën tonë, në Gjykatën e Amerikës, në gjykatën e EULEX-it e në gjykatat tona. Nuk ka qenë fare e nevojshme Gjykata Speciale”, tha Gucati për kallxo.com.

Lajmi.net gjatë ditës së djeshme ka raportuar se dy komandantë të UCK-së, do të udhëtojnë në vikend për në Hagë.

Kjo pasi që Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa janë ftuar nga Gjykata Speciale.

Lajmin për lajmi.net e ka konfirmuar avokati i tyre mbrojtës,  Arianit Koci.

Koci tha se Lushtaku dhe Mustafa gjatë vikendit do të udhëtojnë për Hagë, me fluturim të rregullt ndonëse për datën e intervistimin tha se ende nuk ka dijeni.