​Interesim i madh për pjesëmarrje në festivalin “Tingujt e flautit”

​Interesim i madh për pjesëmarrje në festivalin “Tingujt e flautit”

Filharmonia e Kosovës në bashkëpunim me festivalin "Tingujt e flautit", do të mbajë koncertin e parë për vitin 2019, ku do të interpretojnë solistë e diregjentë vendor e ndërkombëtar.

Në konferencën për shtyp është bërë e ditur se për nder të formimit të Ushtrisë së Kosovës, do të luhet në skenë marshi orkestral.

Drejtori i Filharmonisë, Baki Jashari ka thënë se nesër do të shfaqet një program i larmishëm, e njëherësh ka njoftuar se të gjitha biletat, rreth 400 sa ishin, janë shpërndarë falas.

Jashari ka thënë se interesimi për ta përcjellur koncertin është edhe më i madh, por sipas tij, salla nuk ka më tepër kapacitete.

“Në pjesën e dytë të koncertit do të kemi Simfoninë 44 të kompozitorit Hajden dhe koncerti do të përfundojë me veprën premierë të kompozitorit tonë kosovar të gjeneratës më të re Librun Jupolli i cili e ka shkruar enkas këtë vepër për nder të formimit të Ushtrisë së Kosovës ndaj e ka quajtur edhe marsh orkestral që reflekton pra ushtrinë”, ka thënë Jashari.

Kurse drejtoresha e Festivalit "Tingujt e flautit", Erëmirë Çitaku është shprehur e kënaqur nga ky bashkëpunim, por ka zgjedhur që të mos flasë në detaje për koncertet e radhës, duke i lënë befasi për publikun.

“Sa i përket festivalit, është një fillim i mirë, ndoshta s’e kemi pritur të fillojmë me filharmoninë, mirëpo ndoshta ky është fillimi më i bukur që ka mundur të ndodhë e ju presim në vazhdim me koncertet e radhës”, ka thënë Çitaku.

Në koncertin e nesërm do të performojnë artistë shqiptarë e të huaj.

Flautisti Bulent Evcıl nga Turqia, i cili po vjen për herë të dytë në Kosovë, është shprehur i nderuar që do të luajë me flaut para publikut shqiptar.

“Ndihem si në shtëpi, ne kemi shumë gjëra të përbashkëta sa që ndihem sikur jam në Stamboll, kemi kulturë të njëjtë, ushqim të njëjtë, njerëz të njëjtë. Andaj jam shumë mirënjohës ndaj koleges sime Erëmira. Ajo më ftoi para katër viteve dhe unë performova me piano në këtë sallë të bukur, dhe këtë herë ndihem i nderuar të performoj përsëri para publikut kosovar”, ka thënë Evcil.

Kurse dirigjentja Nathalie Marin nga Franca e cila tashmë është miqësuar me Filharmoninë e Kosovës, thotë se po ndihet si në shtëpi, pavarësisht kulturave të ndryshme që kanë këto shtete. Ajo ka premtuar që do ta japin më të mirën nga vetja në koncertin e nesërm.  

“E dua Kosovën dhe njerëzit e saj, kam kaluar me të vërtetë mirë dhe po ashtu është nder për mua që të krijoj premierë botërore me kopozitorët e talentuar të Kosovës si Liburn Jupolli, e kjo falë përkrahjes së Ambasadës Franceze që po e përkrahë këtë koncert”, ka thënë Marin.

Po ashtu, organizatorët kanë njoftuar se në koncertin e dytë që do të mbahet në shkurt, do të prezantohen një maratonë gjysmërecitalesh interpretuar nga studentë të Universitetit të Prishtinës.

Gjatë ditës së nesërme do të mbahet koncerti i hapjes së festivalit, por në vazhdim do të mbahen edhe shtatë koncerte të tjera deri në muajin maj.

 


MË SHUME NGA Kulturë