​Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore bojkoton procesin mësimor

​Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore bojkoton procesin mësimor

Këshilli i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore ka njoftuar sonte se ka marrë vendim që të bojkotojë procesin mësimor.

Semestri i dytë për vitin akademik fillon me 18 Shkurt. Në po këtë datë fillon edhe bojkoti i FSHMN-së. Siç njofton Këshilli i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, ky vendim është rrjedhojë e injorimit të kërkesave për ndërtimin e një objekti që do të plotësonte kushtet për studime adekuate.

“Ne si studentë së bashku me profesorët, kërkojmë ndërtimin e objektit të ri, sepse gjendja në objektin e tanishëm është e mjerueshme. Tash e dhjetëra vite jemi të detyruar që ligjëratat, ushtrimet në laboratorët e improvizuar, e të gjitha mësimet ti mbajmë në bodrumet e Fakultetit të Filologjisë, hapësira të mbuluara nga myku, në kushte të tmerrshme, e ndonjëherë edhe në mungesë ndriqimi (pra vetëm me qirinjë).

Pasi format e tjera ligjore nuk janë të mjaftueshme për shtetin tonë që ata të japin për ne zgjidhje konkrete, as për ne nuk janë të mjaftueshme premtimet e tyre boshe. Kështu, ne jemi të detyruar që të shfrytëzojmë bojkotin si mjet të fundit, aspak të favorshëm për ne, por gjithmonë më pak i dëmshëm sesa vazhdimi i studimeve në një ndërtesë ku përveç rrezikimit të shëndetit sot, as e nesërmja nuk duket e ndritur.

Bojkoti do të vazhdojë deri kur të na ofrohen zgjidhje konkrete ndaj kërkesave që për institucionet relevante janë më së të njohura”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore.