Botohet libri “Gazetaria online”, i gazetarit Lulzim Ahmeti

Botohet libri “Gazetaria online”, i gazetarit Lulzim Ahmeti

Rafteve të librarive i është shtuar libri “Gazetaria online” i gazetarit Lulzim Ahmeti, dedikuar studentëve të gazetarisë dhe gazetarëve të medieve elektronike.

Në këtë libër Ahmeti ka trajtuar rolin dhe efektin e gazetarisë online në informim të publikut, njëkohësisht ka shtjelluar mjetet e informimit të cilat përdoren më së shumti në mediat online.

“Për gazetarinë online janë shkruar pak libra sepse ka pak teoricienë të huaj të cilët e kanë trajtuar gjuhën e saj, fushëveprimtarinë e saj, ndikimin e saj në publik, po dhe dëmet që mund të shkaktojë ajo. Pra, teoria për gazetarinë online akoma nuk është zhvilluar sa është zhvilluar kjo formë e gazetarisë”, ka thënë ai.

Krahas shumë temave që ndërlidhen me funksionimin e mediave online në Kosovë, Ahmeti në librin e tij ka dhënë edhe disa rekomandime të cilat kanë dalë pas rezultateve që ka mbledhur në terren dhe pas monitorimit të punës së disa medieve online të Kosovës.

“Gazetaria online” është botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni” dhe lexuesit tashmë mund ta gjejnë në librarinë “Dukagjini” në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, si dhe në librarinë “Artini” në objektin e Institutit Albanologjik në Prishtinë.