"Vrasje në kornizë", libri që përplasë kohën e sundimit dhe lirisë

"Vrasje në kornizë", libri që përplasë kohën e sundimit dhe lirisë

Para studiuesve e dashamirëve të librit sot u promovua libri "Vrasje në kornizë" i autorit Florin Kelmendi, roman shumështresor që përplas mes vete dy kohë dhe njëherësh prek edhe temën e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Autori Kelmendi tha se thellë në vete, libri përçon një ftesë për t'i gjetur të zhdukurit.

"Midis faqeve të këtij libri jam përpjekur të krahasoj njerëz dhe kohë të ndryshme për të ardhur te ajo të bëmat e njerëzve janë çdo herë të njëjta vetëm të paketuara ndryshe në kohë të ndryshme", ka thënë Kelmendi.

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinajt, Jahja Lluka, temën e librin e lidhi edhe me çështjen e të pagjeturve.

"Beogradi ende po fle në mbetjet mortore të shqiptarëve", ka thënë Lluka.

Ndërsa, shkrimtari Shaip Grabovci librin e cilësoi si roman shumë shtresor ku bashkëjetojnë dashuria, arti, e kaluara, e tashmja dhe individi.

 

"Gjatë leximit të këtij romani, njeriu e ndjen se është duke udhëtuar në kohë dhe ne fund e vëren se ai udhëtim ka lënë në të vragë të pashlyer", ka thënë ai.

Kurse studiuesi dhe shkrimtari nga Shqipëria, Behar Gjoka tha se në këtë roman përplasen dy kohë të ndryshme që trajtojnë dy gjëra të kundërta: sundimin dhe lirinë.

"Janë dy kohë që trajtohen në roman, koha e sundimit dhe pushtimit serb, e cila ishte ashtu si ishte, dhe në këtë libër vjen e gjallë e plotë, dhe koha e dytë, kur erdhi liria. Pra ky libër trajton lirinë individuale, lirinë e fjalës e të artit", ka thënë Gjoka.

Florin Kelmendi ka punuar si gazetar, redaktor e drejtues programesh në Radiotelevizionin e Prishtinës. Kelmendi është bashkëthemelues i Radiotelevizionit 21 në Kosovë dhe Maqedoni. Ky është libri i tij i dytë, ndërsa në vitin 2006 kishte botuar vëllimin me tregime "Ndalni trenat".