Kryezoti!

Kryezoti!

Rexhep Hoti

Ti ishe larg vendlindjes një kontinent, një epokë,
Kur emrin IskanderBeg ta vuri vetë Perandoria;
Moti i Madh të priste të vije me kurorën e kohës,
Mbrojtja e qytetërimit evropian quhej Arbëria!

Me treqind kalorësit e ashtit u nise për në atdhe,
Komovica me ushtritë mbeti prapa me zallamahi;
Shpata e mendjes të bëri Kryezot në fushëbetejë;
Vetëtimat të nderonin me përkulje teksa kalëroje ti.

Kufiri i tokave të pikonte prej sulmeve në Lindje;
Formacionet e Shkërmoqura s’t’i mposhtnin dot;
Në përleshje me vdekjen frika s’ishte veç bindje;
Nënat s’kishin vaj për të qarë, nuk kishin as lot.

Vajkali, Torviolli a Kruja s’ranë kurrë nën hordhi,
Pa çka se Ballabani, Hamzai, ah, Mojsiu, Gjergj im,
E mbollën ndër skipetarë tradhtinë për lakmi;
Fjala e Përkrenares në Besëlidhje ishte kushtrim!

Në tokën e mbjellë me male perënditë i kanë tempujt;
Aty, Kryezot, e bëre Arbërinë me fisnikërinë e princërve;
Pirron e adhuroje prijës, por shpata të priste tutje;
Me kalorësin e artit të luftës qiellit ia dhuroje retë!

Dëbora erdhi me ethe në moshën e Atletit të Krishtit,
Piktura e Belinit s’kishte ngjyra për stinën e dashurisë;
Mjekra e thinjur u drodh: Nisuni ju, do të vij më vonë,
U the luftëtarëve e nga buza të ra fjala e fundit: Nanë!

Arbëria u bashkua njëherë se kishte mendje të ndritur;
Perandoria e mijëvjeçarëve u ndal se rronte embetha;
Evropa u frymëzua prej teje Gjergj, në shpirtin e kapitur;
Vestfalia e balsamosi shenjtin e paqes, e vari në petha!

Pasardhësi i Arbrit është në rrugëtim ndër shqiptarë
E trungu me rrënjë nga Iliria s’mund të ndahet në dysh;
Mbi egërsinë e republikave po vinte Ditëlindja e Majit;
Vellon për nusërinë ta sillni në të gdhirë gjithqysh!