Remenski: Nuk kemi nevojë për zgjedhje parlamentare

Remenski: Nuk kemi nevojë për zgjedhje parlamentare

Shumica parlamentare akoma nuk ka vendosur për mënyrën e zgjedhjes së kandidatit për president të shtetit. LSDM-ja në kuadër të partisë ka diskutuar por pa vendim konkret, nëse janë për kandidat konsensual ashtu siç kërkojnë partnerët e koalicionit, apo do të dalin me kandidatin e tyre.

Jo zyrtarisht çështja do të diskutohet në takim mes Zaevit dhe partnerëve të koalicionit Ahmeti, Thaçi e Gashi nga fundi i janarit. Të pyetur nëse do ta pranojnë kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare, nënkrytarja e socialdemokratëve, Frosina Remenski theksoi se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të cilat do t’i pengonin proceset reformuse.

"Mendoj se nuk kemi nevojë për zgjedhje të parakohshme, sepse duhet pasur parasyshë hapat të cilët duhet t’i ndërmarrim deri në marrjen e datës për bisedime me BE-në dhe gjitha kushtet për marrjen e datës për bisedime si reformat në shëbimet e sigurisë, administratën publike dhe reformat në gjyqësor si pako e ligjeve reformuese në Kuvend. Presim që të gjitha këto ligje të përfundojnë deri në marrjen e datës për bisedime me BE-në”- theksoi – Frosina Remenski, Nënkryetare e LSDM-së

Ndërkohë, VMRO-DPMNE-ja ka nisur fushatë mbi kërkesat e saj për zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale. Sekretari i përgjithshëm i VMRO-së, Igor Janushev i cili ditë më parë deklaroi se opozita po shqyrton mundësinë që t’i bojkotojë zgjedhjet presidenciale në rast se Qeveria nuk pranon Qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, sot ka ndryshuar qëndrimin. Ai u shpreh i prerë se VMRO do merr pjesë në zgjedhje presidenciale duke shtuar se para shpalljes së tyre, grupi parlamentar mund të iniciojë edhe shpërbërjen e Kuvendit.

"Po VMRO-DPMNE-ja do të merr pjesë në zgjedhje presidenciale por përsëri them se insistojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me presidencialet. Lidhur më shpërbërjen e Kuvendit dhe veprimet e grupit tonë parlamentar do t’ju njoftojmë në kohë” – u shpreh – Igor Janushev, Sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së

Edhe blloku politik shqiptar është i ndarë rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjeve presidenciale. BDI edhe në këto zgjedhje kërkon kandidat konsensual për president. Integristët vlerësojnë se vendi do të humb në sferën e reformave në rast se shkohet në zgjedhje parlamentare. Opozita shqiptare nga ana tjetër është duke shqyrtuar mundësinë për kandidat të përbashkët duke mbështetur kështu edhe idenë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Zgjedhjet presidenciale pritet të shpallen më 8 shkurt, ndërsa datë për mbajtjen e tyre është paraparë 21 prilli. /Alsat-m